Qani Shabani

Për të 22-tën herë, Kuvendi i Kosovës vazhdon të qëndrojë në një vakum funksional, pasi nuk është konstituuar. Ky fenomen i përsëritur jo vetëm që dëshmon për një krizë të thellë legjitime dhe strukturore, por pasqyron një shpërfillje alarmante të përgjegjësisë morale dhe politike nga elitat udhëheqëse. Ky imobilizim institucional është simptomë e një dekompozimi të thellë të mekanizmave demokratikë dhe i një procesi gradual të erozionit të besimit qytetar ndaj institucioneve, që kërcënon seriozisht sovranitetin shtetëror dhe stabilitetin politik të vendit.
Analisti Qani Shabani thekson se ky paralizim institucional nuk është një krizë e zakonshme politike, por një “fenomen sistemik që po prodhon një boshllëk të rrezikshëm strategjik, të shfrytëzueshëm nga aktorë të jashtëm që synojnë destabilizimin e brendshëm përmes infiltrimit agjenturor, relativizimit të ligjshmërisë dhe minimit të autoritetit kushtetues të shtetit.” Sipas tij, “mosfunksionimi i Kuvendit nuk është më vetëm dështim i përfaqësimit, por shndërrohet në një hallkë kritike të degradimit të sovranitetit dhe hap rrugën për një ‘delegjitimim të heshtur’ të institucioneve në sytë e qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.”
Në këtë kontekst, vërtetimi i përgjegjësisë politike nuk është më thjesht një rekomandim normativ, por kërkesë imperative e domosdoshme për rigjenerimin e shtetit të së drejtës dhe për çrrënjosjen e praktikave klienteliste, oportuniste dhe destruktive që po cenojnë funksionimin e institucioneve. Dështimi për të konstituuar Kuvendin nuk mund të konsiderohet një mangësi administrative apo teknike, por një manifestim i qartë i kapjes politike të sistemit dhe i heshtjes së një klase politike që ka humbur vizionin dhe ndjeshmërinë ndaj misionit kushtetues.
Ky akt i mosveprimit është një akt politik me pasoja fatale, i cili minon themelet e pluralizmit demokratik, dëmton funksionimin e qeverisjes dhe pengon realizimin e politikave publike që janë thelbësore për avancimin socio-ekonomik dhe për forcimin e identitetit kombëtar. Në këtë proces, heshtja dhe indiferenca e përfaqësuesve të popullit përbëjnë një akt të pamoralshëm tradhtie ndaj mandatit të dhënë nga qytetarët dhe ndaj përgjegjësisë që ata kanë për të garantuar shtetin dhe rendin kushtetues.

Në këtë pikë kritike historike, kërkohet një ripërkufizim i përgjegjësisë politike që përfshin jo vetëm reflektim të thellë etik dhe moral, por edhe një angazhim të pakompromis ndaj parimeve të demokracisë dhe interesit kombëtar. Deputetët duhet të pranojnë që status quo-ja aktuale është e papranueshme dhe se mosveprimi i tyre nuk është vetëm një paaftësi, por një akt i qartë i sabotimit të proceseve demokratike dhe i dëmimit të unitetit politik dhe social.

Për rrjedhojë, angazhimi për një politikë të përgjegjshme dhe transparente duhet të bëhet prioritet kombëtar. Pa një reflektim të tillë dhe pa një reagim të menjëhershëm, destabilizimi institucional do të thellohet, duke çuar në rrezik serioz jo vetëm funksionimin e shtetit, por edhe integritetin e tij territorial dhe sovranitetin. Është detyrë historike e çdo përfaqësuesi të popullit që të distancohet nga lojërat e pushtetit dhe të angazhohet për një të ardhme ku institucioni i Kuvendit të jetë forca kryesore demokratike dhe shtylla e shtetit ligjor.

Në këtë rrugë, politika pa përgjegjësi nuk është thjesht dështim apo mosveprim; ajo është krim kundër kombit, një akt shkatërrues i cili duhet dënuar dhe kundërshtuar me të gjithë mjetet demokratike. Vetëm përmes një riorientimi të përgjegjësisë morale dhe politike mund të rindërtohet besimi i qytetarëve dhe të sigurohet një e ardhme e qëndrueshme dhe e lirë nga ndikimet destruktive të kapjes dhe korrupsionit institucional.