Palestinezëve të zhvendosur në Khan Younis, në jug të Gazës, iu dhanë vakte të ngrohta.
Qindra njerëz, duke përfshirë gra dhe fëmijë, kanë pritur me orë të tëra për të marrë ushqim.
Ndihma, e ofruar nga organizatat humanitare lokale, u shpërnda në kushte jashtëzakonisht të vështira për shkak të sulmeve të vazhdueshme dhe mungesës së madhe të gjithçkaje.
Turmat e mëdha u kthyen në kaos dhe rrëmujë ndërsa njerëzit përpiqeshin të dëshpëruar të siguronin një vakt për familjet e tyre, përcjell Telegrafi.
Izraeli akuzohet se përdor urinë si armë – për të thyer vullnetin e njerëzve, për t’i detyruar ata të dorëzohen, për t’i ndëshkuar kolektivisht dhe për të kryer spastrim etnik.
Bëhet e ditur se gati dy muaj pas rënies së armëpushimit, forcat izraelite kanë shtrënguar më tej bllokadën e Gazës, duke mbyllur pikat kufitare dhe duke ndaluar çdo hyrje të ushqimit, ujit, ilaçeve dhe karburanteve.
Sipas Programit Botëror të Ushqimit (WFP), furnizimet ushqimore u varfëruan që në prill të vitit 2024 dhe kushtet janë përkeqësuar në mënyrë dramatike që nga marsi.
Edhe kuzhinat të cilat më parë shpërndanin më shumë se një milion vakte në ditë, tashmë kanë pushuar plotësisht funksionimin.
WFP raporton se çmimet e produkteve ushqimore të mbetura janë rritur me më shumë se 1400 për qind.