Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Hakan Fidan, zhvilloi një takim me homologun rus, Sergey Lavrov në Moskë, raporton Anadolu.

Fidan bëri disa vlerësime në pjesën e hapur të takimit për gazetarët.

Ai shprehu kënaqësinë që ndodhet përsëri në Moskë dhe mirënjohjen e tij për programin e frytshëm. “Dje u prita nga Putini dhe pata mundësinë t’ia përcjelli përshëndetjet, urimet dhe mesazhet më të sinqerta të presidentit Recep Tayyip Erdoğan”, tha Fidan.

Lidhur me marrëdhëniet turko-ruse, Fidan tha: “Marrëdhëniet tona po përparojnë në mënyrë shumë të shëndetshme, duke arritur qëllimet e tyre në rrugën e përcaktuar nga udhëheqësit tanë. Në gjeografinë tonë, ku rendi i ditës po ndryshon shumë shpejt, marrëdhëniet e thella midis Turqisë dhe Rusisë luajnë rol të rëndësishëm në sigurimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajonin tonë. Zgjedhja e Stambollit nga ana e Rusisë për negociata të drejtpërdrejta me Ukrainën është manifestim i mirëkuptimit të përbashkët të vendeve tona për vendosjen e stabilitetit”.

Fidan tha se gjatë takimit me Lavrovin, ata do të diskutojnë të gjitha aspektet e marrëdhënieve shumëdimensionale midis dy vendeve, përfshirë energjinë, ekonominë dhe çështjet rajonale, veçanërisht Lindjen e Mesme dhe Afrikë.

– “Bashkëpunimi ynë në fushën e tregtisë dhe investimeve është duke u zhvilluar”

Ministri i Jashtëm rus Lavrov shprehu gjithashtu kënaqësinë e tij për vizitën e delegacionit të kryesuar nga Fidan në Moskë.

Ai nënvizoi se axhenda midis Rusisë dhe Turqisë është intensive dhe gjithëpërfshirëse dhe përcaktohet nga presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, Lavrov rikujtoi se Fidan dje u mirëprit nga Putini.

“Qasja e ndërsjellë e orientuar drejt punës dhe rezultateve në drejtim të thellimit të partneritetit tonë u konfirmua në takimin e djeshëm. Ne kemi shumë plane të rëndësishme për bashkëpunim dypalësh. Me çështjet e diskutuara, synojmë të heqim pengesat e paligjshme nga jashtë. Këto plane nuk mund të kenë sukses. Bashkëpunimi ynë në fushën e tregtisë dhe investimeve është duke u zhvilluar dhe do të vazhdojë të zhvillohet”, tha Lavrov.

Kryediplomati rus tha se ai dhe Fidan do të diskutojnë për çështje që lidhen me zbatimin e objektivave të vendosura nga të dy udhëheqësit. “Rusia dhe Turqia janë të përfshira në nisma ndërkombëtare që synojnë përmirësimin e situatës në shumë rajone, përfshirë Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme. Siç tha edhe Putin dje, ne e vlerësojmë angazhimin e Turqisë për sigurimin e mundësisë për negociata të drejtpërdrejta me palën ukrainase”, tha Lavrov.