Kryetarja e Forumit të Gruas Dega Çair, Teuta Ramadani Xhaferi është distancuar nga veprimet e fundit të Arben Taravarit, kryetar i fraksionit të cilën e mbështeste Teuta Ramadani Xhaferi.

Veç distancimit ajo ka lëshuar edhe kritika për Taravarin.dhe duke thënë se fare nuk ftoi Forumin e Gruas po as atë si kryetare në hapjen e Selisë së kësaj partie në Çair.

Në vijim postimi i plotë

E vërteta nuk ka nevojë për leje që të thuhet.

U hap selia e re e Aleancës për Shqiptarët në Çair, por pa pjesëmarrjen time dhe as të Forumit të Gruas të degës Çair.

Bojkoti im nuk ishte akt i heshtjes, por i ndërgjegjes.

Sepse nuk mund të hesht para një rruge që po na shpie drejt përqafimit të një partie me të cilën jemi betuar politikisht ta dërgojmë në opozitë.

Nuk ka asgjë të përbashkët kjo rrugë me vizionin e Arbën Xhaferit, e aq më pak me sakrificën e qindra aktivistëve që për një dekadë i qëndruan Aleancës me përkushtim.

Ndarja jonë me Ziadin Selën ndodhi pikërisht për këtë arsye – sepse vendosi të bashkëpunojë me BDI-në. Dhe është tragjike që pas gjithë asaj beteje, sot po përjetojmë të njëjtën histori, thjesht me një tjetër dorë që po shtyn drejt së njëjtës humnerë.

Në mbledhjen e fundit të degës, na u bë e qartë: “Kush e ka veshur dresin e partisë, le të rrijë. Kush jo, dera është e hapur.” Dhe këtë e tha pikërisht ai që dikur lutej mbas dere për t’u afruar në degë dhe ai i cili forcën politike e ka vetëm në fjalë dhe premtime boshe sa për ta arritur qëllimin e tij.Ironi e rëndë që tregon se si pushteti personal mund të përpijë një organizatë të tërë.

Nuk jam këtu për inat, por për bindje. Nuk largohem nga një individ, por nga një devijim që nuk ka më as lidhje me Aleancën që kam ndërtuar bashkë me qindra të tjerë në Çair.

Prej sot, qëndrimi im është i qartë: politika ime lokalizohet aty ku më është dhënë besimi — në Çair. Me qytetarët, me gratë e këtij komuniteti, me të rinjtë që ende besojnë në një Aleancë që nuk shitet për interesa personale.

Me respekt Teuta Xhaferi (Kryetare e Forumit të Gruas-Dega Çair )