Ruzhdi Matoshi
Në Maqedoninë e Veriut, politika aktuale është duke i prishur ekuilibrat stabilizues të vendosur nga Marrëveshja e Ohrit në vitin 2001.
Arben Taravari, me daljen nga qeveria, bëri një hap mbrapa, duke parë se qeveria aktuale po rrënon ekuilibrat e brendshëm të shtetit, që burojnë nga ndryshimet kushtetuese të inicuuara nga Marrëveshja e Ohrit, siç janë:
Likuidimi i balancuesit (Ballancerit);
Marrja e kompetencave dhe e fuqisë vendimmarrëse nga zëvendëskryeministri i parë, i cili ishte shqiptar;
Shfuqizimi i Ministrisë së Sistemit Politik, që ruante ekuilibrat ndëretnikë, e cila iu dha politikanit serb Stoilkoviq, i afërt me Dodikun dhe Vuçiqin;
Delegjitimimi i Ministrisë së Ekonomisë përmes heqjes së kompetencave;
Përjashtimi i përfaqësimit politik shqiptar nga Ministria e Jashtme, Ministria e Financave dhe nga dikasterët e sigurisë;
Prishja e shumë konkurseve për punësim, të cilat kanë rezultuar me zero shqiptarë të punësuar.
Kjo qasje politike ka për qëllim kryesor defaktorizimin politik dhe vendimmarrës të shqiptarëve në sistemin shtetëror, duke synuar vendosjen e një supremacie politike maqedonase.
I vetmi mekanizëm politik që i ka mbetur palës shqiptare është të bëjë një hap pas, për t’i hapur rrugë reflektimit dhe diskutimit të thelluar mbi atë që po ndodh. Duhet të alarmohet edhe faktori ndërkombëtar, sepse në Maqedoninë e Veriut po prishen ekuilibrat e bashkëjetesës, të garantuara nga Marrëveshja e Ohrit që nga viti 2001.
Një hap mbrapa duhet të bëjë edhe Kryeministri në detyrë i Kosovës, i cili po përkrah grupe formale e informale që po kontribuojnë në përçarjen e politikës shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Ai nuk duhet të presë në zyrën e tij personazhe që deri dje kanë qenë këshilltarë apo mercenarë të politikës maqedonase, duke i furnizuar me legjitimitet dhe energji për të dëmtuar organizimin politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Shqiptarët e Maqedonisë nuk ta kanë borxh një sjellje politike diletante, Albin Kurti. Duhet ta dish se shqiptarët e këtij vendi kanë dhënë dëshmorë dhe shumë luftëtarë për të pasur shtetin e Kosovës, por jo që ti sot të keqpërdorësh zyrën e kryeministrit për politikë ditore të mbrapshtë.
Kjo është edhe një thirrje alarmi për politikën zyrtare të Tiranës, e cila duhet të reagojë dhe të mbrojë të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ajo duhet të vë nën kontroll veprimet politike të individëve të caktuar, të cilët pa mandat nga populli po bëjnë transaksione politike që dëmtojnë indin organizativ dhe përfaqësues të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.