Kusari-Lila shfajësohet në emër të VV-së, për bllokimin e Kuvendit e drejton gishtin kah partitë tjera

Mimoza Kusari-Lila, deputetja e Grupit Parlamentar të LVV-së, ka thënë se propozimi i Avni Deharit, kryesuesit të seancës për konstituimin e Kuvendit, për votimin e fshehtë për kandidatin për kryetar të parlamentit nuk është i jashtëligjshëm.
Në një paraqitje para mediave, ajo ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje po mundohet që të zhbllokojë situatën në të cilën është Kuvendi, por sipas saj, opozita po e bllokon.
“Në formën e prezantimit të argumenteve se kinse nuk ka të drejtë kryesuesi i seancës të ndërrojë formën e votimit me deklarimin se është anti-kushtetuese. Në asnjë argumentim nuk u përmend neni i Kushtetutës, apo neni i Rregullores së Kuvendit që e parandalon votimin e fshehtë. Në të kundërtën votimi i fshehtë parashihet dhe sidomos bazuar edhe në udhëzimin e aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, edhe në letrën e dërguar nga presidentja e Kosovës, për të zhbllokuar këtë situatë dhe për të gjetur mënyra për të zhbllokuar këtë situatë”.
“Ne po mundohemi maksimalisht, qoftë me komunikim direkt, qoftë me komunikim të kryetarëve partive siç ndodhi sot, por edhe me mënyrën e formës së votimit që do të mundësohej lirimi i deputetëve të shprehej përmes votimit të fshehtë, por ajo as nuk u pranua si alternativë”.
“Dhe kjo formë e refuzimit të çfarëdo zgjidhjeje me kushtëzimin me emër të përveçëm e tregon se nuk ka interes për konstituim të Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Kusari-Lila.
Ajo akuzoi se partitë tjera duan të bëjnë pazare politike për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.