Sot është hera e 15 që dështonë konstituimi I kuvendit të Kosovës
Nga analiza e zhvillimeve të fundit politike në Kosovë, del një realitet i hidhur: opozita nuk është më një gardiane e demokracisë, por një pengmarrëse e institucioneve.
Në një shtet normal, opozita është shtylla e dytë e funksionimit demokratik – ofron alternativën, kritikon me përgjegjësi dhe mban në kontroll pushtetin. Por ajo që po shohim sot në Kosovë është një deformim i plotë i këtij roli. Opozita nuk po vepron si një strukturë që mbron qytetarët, por si një grup interesash të dëshpëruara për pushtet, të gatshme të bllokojnë çdo proces, vetëm që të ruajnë njëfarë relevance në skenën politike.
Moskonstituimi i Kuvendit, bllokadat e orkestruara dhe pazaret e pista nën tryeza nuk janë aksidente politike – janë strategji të qëllimshme të një opozite që nuk di të humbasë me dinjitet dhe që nuk di të funksionojë jashtë pushtetit. Një opozitë e tillë nuk është vetëm joefikase – është e rrezikshme për stabilitetin institucional.
Këto ditë, qytetarët e Kosovës ndihen të tradhtuar. Ata votuan për përfaqësim, për zgjidhje, për një hapje të re demokratike. Por në vend të kësaj, po përballen me një maskaradë të turpshme politike, ku Kuvendi është kthyer në një teatër të heshtur, dhe opozita luan rolin e krye-regjisorëve të kaosit.
Në vend të përballjes me sfidat reale të qytetarëve – si papunësia, drejtësia, siguria dhe politika e jashtme – opozita po investon gjithë energjinë e saj në shpikjen e krizave, në bllokada procedurale dhe në krijimin e një atmosfere të qëllimshme destabilizimi.
Në këtë peizazh politik të deformuar, zërat që flasin me mend dhe ndërgjegje janë të rrallë. Analisti Qani Shabani theksoi:
“Kur politika humb busullën morale, shteti ngelet në duart e lojtarëve të rrezikshëm që përdorin maskaradën si strategji për të fshehur dështimin.”