Krenar Lloga

Në këtë kohë të VLEN-it, vlenushkave dhe tarakushkave, erdhën dy përgjigje negative për rastin e Agimit dhe përsëritjen e lëndës në bazë të provave të reja.
Gjatë gjithë këtyre ditëve kam dashur të shkruaj, por jam ndalur sepse prisja që dikush nga këto të pafytyrë, që pretendonin “ndryshimin”, do të thoshte dy fjalë apo do të arsyetohej.
Turpi i këtyre, duke thënë se do të zbardhin lëndë që vetë i kanë gatuar duke qenë në pushtet për 23 vite, tregon sa të heshtur kanë qenë për dekada — veçse karriket i kanë pasur të ngrohta dhe xhepat jo të zbrazur.
Si heshtin gjithë këtë kohë? Gjithë këto orë e ditë duke mbyllur gojën, kur vetëm para ca muajsh dilnin derë më derë duke premtuar e pretenduar se do të bëjnë çudinë; e tani, duke dashur të spinojnë me komente fajësimi, tregojnë se sa të paturp janë.
Më mirë të mos kishin dhënë fare përgjigje përmes gjykatave të tyre, sesa të jepnin dy herë — në Themelore dhe në Apel — përgjigje negative, duke e mbyllur përfundimisht mundësinë e përsëritjes së lëndës.

Llumi i akuzave ndaj meje, për ato pak muaj që isha në ministri, nuk ndalej nga gjithë ata zagarë partiakë, duke më bërë përgjegjës mua për lëndën, kur vetë ishin përgjegjës atëherë kur ishte montuar rasti.
Unë, në të gjitha përpjekjet e mia, kam qenë transparent edhe me njerëzit që i tangonte kjo çështje — bile në çdo detaj të vogël — dhe tek afroheshim për të sjellë një përgjigje pozitive, një antipod i pandershëm jepte deklarata se mund të dalim nga qeveria, duke minuar pozicionet e mia dhe të njerëzve rreth kësaj çështjeje.

Shkurt, shqip: unë nuk arrita të ndihmoj në përsëritjen e lëndës, gjë për të cilën ndihem shumë keq. Por të paktën nuk e mbylla me turp si këto vlenushka e tarakushka, që kthyen dy herë përgjigje përfundimtare negative në Gjykatën Themelore Penale dhe Gjykatën e Apelit – Shkup, lidhur me mundësinë për përsëritjen e lëndës së Agim Islamit.

Dy janë pengjet e ministërllëkut tim (10 muaj – përjashto qeverinë teknike dhe periudhën paszgjedhore): ligji për amnisti për të burgosurit (erdha vetë në Idrizovë së bashku me mediat për t’i treguar gjithë botës për kushtet çnjerëzore; i pata marrë me vete edhe deputetët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, u dërgova foto dhe pasqyra të gjithë deputetëve, por nuk u bindën) dhe rasti i Agimit.
Kam kërkuar falje atëherë, kërkoj falje edhe sot.

Më fal, Agim – nuk ja dola!