Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, njoftoi mbrëmjen e sotme se brenda dy ose tre javëve të ardhshme, zyrtarët amerikanë do t’u dërgojnë letra vendeve të ndryshme, në të cilat do të përshkruajnë se “sa do të paguajnë për të bërë biznes” me Uashingtonin.

Kjo deklaratë u bë përpara se ai të nisej nga Abu Dhabi, ndalesa e fundit e turneut të tij katërditor në vendet e Gjirit. Trump nuk dha sqarime të mëtejshme se çfarë nënkuptonte saktësisht.

Deklarata e Trumpo vjen në një kohë kur Kina dhe Shtetet e Bashkuara njoftuan një armëpushim në luftën e tyre tregtare të hënën, pas bisedimeve midis përfaqësuesve të tyre në Zvicër. Trump iu referua këtij zhvillimi, si dhe marrëveshjes së veçantë tregtare që nënshkroi me Britaninë.

“Në një moment gjatë dy ose tre javëve të ardhshme, mendoj se Sekretari i Thesarit Scott Bessant dhe Sekretari i Tregtisë Howard Lutnick do të dërgojnë letra duke u thënë njerëzve se sa do të paguajnë për të bërë biznes me Shtetet e Bashkuara“, tha ai.

Trump më tej tha se zyrtarët amerikanë nuk janë në gjendje të takohen me “të gjitha 150 vendet që duan një marrëveshje” me Uashingtonin.

Javën e kaluar, SHBA-të arritën një marrëveshje të kufizuar tregtare me Britaninë. Sipas kësaj, tarifat prej 10% mbi eksportet britanike mbeten në fuqi, por tarifat më të larta mbi çelikun dhe makinat do të ulen.