Presidenti francez, Emmanuel Macron deklaroi se njohja e shtetit palestinez “nuk është vetëm një detyrim moral, por edhe një kërkesë politike”, duke përmendur disa kushte për marrjen e këtij hapi, përpara një konference të OKB-së për këtë temë që do të mbahet më 18 qershor.
Në një konferencë për shtyp në Singapor, ai gjithashtu konfirmoi se Evropa duhet “të ashpërsojë qëndrimin e saj kolektiv” kundër Izraelit, “nëse në orët dhe ditët në vijim nuk ka një përgjigje që përputhet me situatën humanitare” në Rripin e Gazës.
Në këtë rast, Bashkimi Evropian do të duhet “të zbatojë” rregullat e veta, “pra, të ndërpresë proceset që supozojnë respektimin e të drejtave të njeriut – gjë që sot nuk ndodh – dhe të vendosë sanksione”, tha ai, duke iu referuar Marrëveshjes së Asociimit ndërmjet BE-së dhe Izraelit, e cila duhet të rishikohet.
“Prandaj: po, duhet të ashpërsojmë qëndrimin tonë sepse kjo është tashmë një domosdoshmëri, por ende shpresoj që qeveria izraelite do të ndryshojë qëndrim dhe se më në fund do të kemi një përgjigje humanitare”, shtoi ai.
Franca, së bashku me Arabinë Saudite, është bashkë kryesuese e një konference ndërkombëtare që do të mbahet nga 17 deri më 20 qershor në OKB në New York, për të ashtuquajturin zgjidhje me dy shtete për Izraelin dhe Palestinën, shkruan france24.
Pa deklaruar qartë nëse do ta njohë shtetin palestinez gjatë këtij aktiviteti, Macron tha të premten se “krijimi i një shteti palestinez” nën disa kushte “nuk është vetëm një detyrim moral, por një kërkesë politike”.
Presidenti renditi kushtet për njohjen: lirimi i pengjeve që mban Hamasi, “çmilitarizimi” i lëvizjes islamiste palestineze, “mospjesëmarrja” e saj në qeverisjen e atij shteti, “reformimi i Autoritetit Palestinez”, njohja e Izraelit dhe e “të drejtës së tij për të jetuar në siguri” nga ai shtet i ardhshëm, si dhe “krijimi i një arkitekture sigurie në të gjithë rajonin”.
“Kjo është ajo për të cilën do të përpiqemi së bashku të angazhohemi në këtë moment të rëndësishëm më 18 qershor, dhe unë do të jem aty,” tha ai për konferencën e OKB-së.
Ndërkaq, Spanja, Kanada dhe Britania e Madhe kanë paralajmëruar se mund të njohin një shtet palestinez.