Nëse Arben Taravari largohet nga Qeveria, përfaqësimi i shqiptarëve në pushtetin ekzekutiv do të vihet seriozisht në pikëpyetje. Analisti politik Xhelal Neziri thekson se në këtë rast, deputetët shqiptarë në opozitë do të jenë më shumë se ata në Qeveri, gjë që mund të bllokojë miratimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të dyfishtë-badenter.

Sipas tij, opozita shqiptare nuk do t’i përkrahë këto ligje, duke sjellë jo vetëm sfida për legjitimitetin, por edhe pengesa të mëdha në funksionimin e Qeverisë.

“Edhe tash kur janë bashkë dhe figurojnë bashkë si përfaqësues shqiptar në Qeveri ka dilemma, ka dyshime nëse janë përfaqësues të vërtetë legjitim të shqiptarëve. Edhe pse çështja e legjitimitetit është çështje shumë më komplekse dhe nuk duhet parë bardhë e zi kur bëhet fjalë për përfaqësim të qytetarëve, në këtë rast përfaqësim të shqiptarëve në Qeveri, në institucionet ekzekutive”, u shpreh anlisti politik Xhelal Neziri.

Por, sipas Nezirit, me largimin e Taravarit nga Qeveria, është e mundur që disa deputetë dhe funksionarë të mos e ndjekin atë, por të zgjedhin një rrugë tjetër ose të qëndrojnë në koalicionin VLEN.
Për zgjedhje të parakohshme parlamentare vlerëson se vendos VMRO-DPMNE.

“Nëse do të shkohet në zgjedhjet e parakohshme parlamentare vendos VMRO-DPMNE e cila ka 58 deputetë por edhe me pak deputetë tjerë mund të shpërbëjë parlamentin dhe të shpall zgjedhje të parakohshme. Tani sa është në interes të VMRO-DPMNE-së të shkohet në zgjedhje parlamentare me ato lokale është çështje debati, por ato kanë një numër të konsiderueshëm të deputetëve. Ajo që do ta nxitë VMRO-DPMNE-në për zgjedhje të parakohshme do të ishte përkrahja edhe më e madhe prej 61 deputetëve, t’i fiton vet si parti politike, të mos varet në asnjë rast nga asnjëri prej partnerëve të koalicionit”, theksoi Neziri.

Sipas Nezirit, indikator kyç për zgjedhje të parakohshme parlamentare do të jetë rezultati i zgjedhjeve lokale, nëse ai rezultat do të shkoj në favor të VMRO-DPMNE-së atëher ajo do të shpall zgjedhje të parakohshme, në të kundërtën kjo përbërje Qeveritare do të vazhdojë mandatin deri në fund, për 4 vite me radhë./MTV2/