Marrëveshja e vitit 2023 me SHBA-në ngjall frikë në Danimarkë: Autoritet mbi civilët dhe baza ushtarake

Një marrëveshje e re mbrojtëse mes Danimarkës dhe SHBA-ve, e nënshkruar në dhjetor 2023 dhe që pritet të miratohet më 11 qershor, ka shkaktuar shqetësim të madh publik dhe institucional në Kopenhagë.
The Guardian shkruan se marrëveshja i jep ushtrisë amerikane qasje të pakufizuar në tre baza ajrore daneze – Karup, Skrydstrup dhe Aalborg – dhe autorizon ushtrinë dhe policinë ushtarake amerikane të ushtrojë autoritet edhe ndaj civilëve danezë, brenda dhe jashtë këtyre zonave.
Bëhet e ditur se sipas marrëveshjes, ushtarët amerikanë do të jenë nën juridiksionin amerikan, që do të thotë se edhe në rast se kryejnë krime në tokën daneze, ata do të gjykohen nga ligjet amerikane dhe jo ato daneze. E e gjithë kjo ka ngjallur frikë se, në rast abuzimi me forcën, autoritetet daneze nuk do të kenë mundësi të ndërhyjnë ligjërisht.
The Guardian ka cituar ekspertin e të drejtave të njeriut, Peter Vedel Kessing, i cili ka paralajmëruar se ushtarët amerikanë mund të kenë të drejtë të shpërndajnë protesta civile dhe të përdorin forcë pa u ndëshkuar nga drejtësia daneze.
Marrëveshja e vitit 2023 është e pakthyeshme për 10 vjet, megjithatë ka një mundësi anulimi nga Danimarka nëse SHBA ndërmerr hapa për të marrë kontrollin e plotë apo të pjesshëm të Grenlandës – territor strategjik që i përket mbretërisë daneze – për të cilin presidenti Trump ka bërë shprehur “dëshirën” ta aneksojë.
Megjithatë, lidhur me këtë çështje bëhet e ditur se ministria daneze e Mbrojtjes ka deklaruar se veprimet amerikane do të koordinohen me autoritetet vendore dhe do të respektojnë sovranitetin danez. Ndërkohë kritikët kërkojnë që marrëveshja të mos miratohet pa siguri të plotë ligjore dhe kushtetuese.