Ministrja e Arsimit dhe Shkencës në ditën e zhvillimit të provimit ekstern të maturantëve deklaroi se këtë vit pret rezultate më objektive në krahasim me vitet e kaluara.
“Përgatitjet kanë zgjatur për një kohë të gjatë. Është biseduar me drejtuesit e shkollave, mbikëqyrësit dhe testuesit, dhe besoj se do të angazhohen që të mos përsëriten situata si në të kaluarën, kur grupe të tëra nxënësish kopjonin, kishin përgjigje identike të sakta dhe të pasakta, ese identike e kështu me radhë. Rikujtoj se rregullorja është ashpërsuar, veçanërisht për ata që do të konstatohet se i mbyllin sytë, nuk vërejnë telefona mobilë në klasë, fletushka, libra të futur brenda dhe të tjera. Besoj se askush nuk dëshiron pasoja negative,” tha Janevska.