Me kërkese të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) dhe vendim të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) është sekuestruar një apartament në zonën e Selitës dhe një shtesë, të regjistruara në ASHK në emrin e subjektit A.K. Shpk.

SPAK dyshon se çifti Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa kanë interesa pasurore faktike mbi këto dy pasuri.

“Pas kryerjes së veprimeve hetimore në kuadër të këtij procedimi penal, Prokuroria e Posaçme ka arritur në konkluzionin se ekzistojnë të dhëna konkrete që të çojnë në dyshimin e arsyeshëm se shtetasit nën hetim E. V. dhe A. X. kanë konsumuar edhe elementët e veprës penale të ‘Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim’, parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal. Për këtë shkak, më datë 20.05.2025 emrat e këtyre shtetasve janë regjistruar në regjistrin e njoftimit të veprave penale, duke i atribuuar veprën penale cituar më lart”.

“Në vijim, me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme të datës 20.05.2025, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin Nr. 342 Akti datë 22.05.2025 ka vendosur: Caktimin e masës së sigurimit pasuror ‘sekuestro preventive’, mbi pasurinë e paluajtshme: Pasuria nr. dhe shtesë me numër pasurie, ‏regjistruar në ASHK në emër të subjektit tregtar ‘A. K.’ shpk; Nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se shtetasit nën hetim E. V. dhe A. X. kanë interesa pasurore faktike mbi dy pasuri (njëra prej të cilave shtesë pasurie), të cilat janë fqinje me apartamentin që ndodhet në Selitë, (rezidenca Kodra e Diellit), ku aktualisht këta shtetas jetojnë”, thuhet në njoftim. /Euronews