Rusia ka kryer bombardime të pandërprera me dronë dhe raketa në kryeqytetin ukrainas, Kiev, dhe rajone të tjera të vendit për natën e dytë radhazi, duke i vrarë të paktën 12 njerëz dhe duke i plagosur dhjetëra të tjerë, njoftuan zyrtarët mëngjesin e së dielës.
Shkalla e këtij sulmi ishte tronditëse, sepse Rusia goditi Ukrainën me 367 dronë dhe raketa, që nënkupton se ky ishte sulmi më i madh gjatë luftës mbi trivjeçare, sipas Yuriy Ihnat, zëdhënësit të Forcave Ajrore të Ukrainës.
Në përgjithësi, Rusia i përdori 69 raketa të llojeve të ndryshme dhe 298 dronë, përfshirë dronët e dizajnuar nga Irani, të njohur si Shahed, tha Ihnat për Associated Press.
“Ishte sulmi më i madh në aspektin e numrit të armëve ajrore në territorin e Ukrainës që nga fillimi i pushtimit të plotë në vitin 2022”, theksoi Ihnat.
Sulmi ndodhi në ditën e tretë të këmbimit të paraparë të të burgosurve mes Rusisë dhe Ukrainës. Në bisedimet e para që nga fillimi i pushtimit – të mbajtura në Stamboll në fillim të këtij muaji – Kievi dhe Moska u pajtuan t’i këmbenin secili nga 1.000 të burgosur lufte.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se mbrojtja e saj ajrore i rrëzoi 110 dronë ukrainas gjatë natës. Zhurma e shpërthimeve u dëgjua gjatë gjithë natës në Kiev dhe në zonat përreth, derisa Forcat Ajrore të Mbrojtjes së Ukrainës për orë të tëra bënin përpjekje t’i rrëzonin dronët dhe raketat e armikut. Të paktën katër njerëz u vranë dhe 16 u plagosën vetëm në Kiev, sipas Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës.
“Një mëngjes i vështirë i së dielës në Ukrainë pas një nate pa gjumë. Sulmi më i madh ajror rus në shumë javë zgjati gjithë natën”, tha Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, në X.
Zjarre shpërthyen në shtëpi dhe biznese, të shkaktuara nga copëzat e dronëve të rrëzuar. Në rajonin Zhitomir, në perëndim të Kievit, u vranë tre fëmijë të moshave 8, 12 dhe 17 vjeçe, sipas shërbimit të emergjencës. Dymbëdhjetë persona u plagosën në sulme, tha shërbimi. Të paktën katër njerëz u vranë në rajonin Hmelnitski, në Ukrainën perëndimore. Një burrë u vra në rajonin Mikolaiv, në jug të vendit.
Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, tha se një konvikt studentor në distriktin Holosivski u godit nga një dron dhe një nga muret e ndërtesës ishte përfshirë nga flakët. Në distriktin Dniprovski, një shtëpi private u shkatërrua dhe në distriktin Shevçenkivski, u thyen xhamat e një ndërtese banimi.
Sulmet gjatë 48 orëve të fundit ishin ndër sulmet më të fuqishme ajrore ruse ndaj Ukrainës që nga pushtimi i plotë në shkurt 2022. Ndërkohë, këmbimi i fundit i të burgosurve të luftës sipas marrëveshjes triditore pritet të ndodhë më vonë të dielën.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe Ministria e Mbrojtjes e Rusisë thanë se Moska dhe Kievi këmbyen secila nga 307 ushtarë të shtunën. Të premten, këto dy vende liruar secila nga gjithsej 390 ushtarë dhe civilë.
Në bisedimet e para që nga fillimi i pushtimit – të mbajtura në Stamboll në fillim të këtij muaji – Kievi dhe Moska u pajtuan t’i këmbenin secili nga 1.000 të burgosur lufte. Këmbimi i 1.000 të burgosurve nga secila palë do të përbënte këmbimin më të madhin të të burgosurve që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia.
Këmbimet e mëparshme nuk kanë sjellë përparim të dukshëm drejt përfundimit të luftës, e cila nisi në shkurt 2022./REL