Kancelari gjerman Friedrich Merz ka thënë të hënën se “niveli aktual i sulmeve të Izraelit në Gaza nuk mund të justifikohet më me luftën kundër Hamasit.”

Në një intervistë të dhënë për transmetuesin publik gjerman, Merz ka thënë se, “dëmtimi i popullsisë civile në këtë masë, siç ka ndodhur gjithnjë e më shumë gjatë ditëve të fundit, nuk mund të justifikohet më si një luftë kundër terrorizmit të Hamasit.”

Ai tutje ka shtuar se ka në plan, që të zhvillojë një telefonatë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu gjatë kësaj jave për t’i thënë atij “që të mos e teprojë”, edhe pse, për “arsye historike”, Gjermania do të jetë gjithmonë më e kujdesshme në kritikë sesa disa partnerë të tjerë evropianë.

“Por nëse kalohen vijat, ku e drejta ndërkombëtare humanitare shkelet realisht, atëherë Gjermania, kancelari gjerman, duhet gjithashtu të shprehet për këtë,” ka thënë Merz, raporton DW.

Komentet e Merz vijnë pas një sulmi ajror izraelit të hënën, në një strehë në veri të Rripit të Gazës, ku mbetën të vrarë dhjetëra persona.