Zv.kryeministri i parë, Izet Mexhiti ka paralajmëruar punësimin e 400 zjarrfikësve dhe hapjen e 600 vendeve të reja të punës.

Njoftimin e tij të plotë të Mexhitit për punësimet e reja, mund ta lexoni më poshtë.

Për t’u përballur me rrezikun e zjarreve gjatë stinës së verës, Qeveria ka hartuar Planin Operativ për vitin 2025, i cili përfshin edhe masa konkrete dhe të menduara mirë në funksion të mbrojtjes së jetës, mjedisit dhe pasurisë së qytetarëve.

Një nga masat kryesore të këtij plani është punësimi i 400 zjarrfikësve të rinj, të cilët do të dislokohen në komunat me rrezikshmërinë më të lartë nga zjarret. Qëllimi është të sigurohet një reagim i shpejtë dhe në kohë, në mënyrë që zjarret të parandalohen sa më herët dhe dëmet të minimizohen.

Paralelisht, Plani Operativ përfshin edhe punësimin e 600 personave të papunë, të cilët do të angazhohen në projekte publike në nivel lokal, veçanërisht në infrastrukturë dhe mbrojtje të mjedisit. Kjo masë jo vetëm që kontribuon në reduktimin e papunësisë, por edhe në forcimin e kapaciteteve të komuniteteve përballë sfidave mjedisore.

Me këto iniciativa, Qeveria synon të forcojë mbrojtjen nga zjarret, të ruajë mjedisin dhe të mbrojë shëndetin publik. Një mjedis i pastër dhe i sigurt është themel i një jete të shëndetshme dhe dinjitoze për çdo qytetar.

Në thelb të këtij plani qëndron angazhimi i plotë i Qeverisë për të marrë vendime dhe për të ndërmarrë projekte që janë në dobi të drejtpërdrejtë të qytetarëve.

Çdo vendim që marrim është i udhëhequr nga përkushtimi për të mbrojtur qytetarët, për të përmirësuar cilësinë e jetesës dhe për të ndërtuar një shtet më të fortë e më të sigurt.