Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, së bashku me kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, morën pjesë në fillimin e rindërtimit dhe zgjerimit të rrjetit primar të furnizimit me ujë në vendbanimin Vonvardarska, me një gjatësi prej 2.600 metrash.
Ky investim në vlerë prej mbi 15 milionë denarësh është pjesë e projekteve të financuara përmes nënprogramit AA – Projekte Infrastrukturore nëpër Komuna për vitin 2024 nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të siguruara plotësisht si fonde granti nga Qeveria.
“Siç e dini, kohë më parë hapëm bulevardin e ri në Tetovë, dhe tani po fillojmë me ndërtimin e sistemit modern të furnizimit me ujë që padyshim do të përmirësojë cilësinë e jetës së banorëve të Tetovës”, deklaroi Mexhiti, duke thekësuar se në komunën e Tetovës, në bashkëpunim me kryetarin Kasami, shumë projekte tashmë janë duke u realizuar dhe janë në faza të ndryshme të zbatimit, dhe shumë të tjera janë planifikuar.
“Me punë dhe përkushtim të përbashkët, ndryshimi është i dukshëm në çdo pjesë të Tetovës”, shtoi Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, e falënderoi Zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministrin e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhtin, për mbështetjen, duke thekësuar se kjo është hera e parë që Qeveria investon në këtë vendbanim.