Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka uruar 1 Majin, Ditën Ndërkombëtare të Punës, duke shprehur mirënjohje për të gjithë punëtorët që me përkushtim dhe ndershmëri kontribuojnë çdo ditë në zhvillimin e shoqërisë.
“Punëtorët janë forca e palëkundur e progresit tonë – mësimdhënësit që edukojnë brezat, punonjësit shëndetësorë që mbrojnë jetën, policët që garantojnë sigurinë, bujqit që ushqejnë vendin, ndërtimtarët që formësojnë infrastrukturën, dhe të gjithë ata që çdo ditë e ngrenë vendin përpara”, theksoi Mexhiti.
Ai kujtoi angazhimin e Qeverisë për krijimin e vendeve të reja të punës dhe zgjidhjen e statusit të mijëra punëtorëve, si dhe masat konkrete që janë ndërmarrë, përfshirë rritjen e pagave në sektorët kyç si arsimi, shëndetësia dhe siguria, subvencionet për bujqit, rritjen e pagës minimale dhe mesatare, si dhe pensioneve.
“E dimë se çdo punëtor meriton më shumë: meriton vlerësim, mbështetje dhe motivim. Politika jonë zhvillimore ka në themel dinjitetin e punës dhe të punëtorit. Këtë themel do ta forcojmë edhe më tej, me vendosmëri dhe vizion të qartë për një të ardhme më të drejtë për të gjithë”, përfundoi ai.