Sot u inaugurua sistemi “One Stop Shop” edhe në vendkalimin kufitar Jazhincë-Glloboçicë, duke ndjekur modelin e suksesshëm të zbatuar në Bllacë. Ky sistem bashkon në një pikë të vetme kontrollet kufitare të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, duke lehtësuar qarkullimin dhe ulur ndjeshëm kohën e pritjes.
Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, i pranishëm në inaugurim, theksoi rëndësinë strategjike të këtij projekti për bashkëpunimin rajonal:
“Ky sistem është pjesë e vizionit tonë për një Ballkan të integruar, ku kufijtë nuk janë barriera, por ura bashkëpunimi dhe progresi të përbashkët.”
Sipas Mexhitit, përvoja në Bllacë ka dhënë rezultate të menjëhershme dhe konkrete: pritjet janë reduktuar nga orë të tëra në vetëm disa minuta. Zbatimi i modelit në Jazhincë pritet të ketë efekt të ngjashëm dhe të rrisë fluksin e lëvizjes ndërkufitare.
“One Stop Shop” përmirëson jo vetëm funksionimin praktik të pikave kufitare, por forcon edhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe krijon kushte të reja për zhvillim ekonomik dhe rajonal,” theksoi ai.