28 maj 2025, Shkup – Me propozimin e Ministrisë së Financave, Qeveria dje i miratoi ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin e Tarifave Doganore, me ç’rast normat doganore do të ulen për rreth 70 mallra, kryesisht lëndë të para dhe repromateriale që shfrytëzohen nga industria në vend.

Ndyshimi është pjesë e Programit të punës së Qeverisë 2024-2028, i cili parashikon harmonizimin gradual të normave doganore me normat e aplikuara në BE, të përshtatura sipas nevojave të eksportit dhe importit të ekonomisë dhe shtetit.

Prandaj, në kuadër të harmonizimit gradual të parashikuar, në muajin korrik të vitit 2025, do të realizohet ulja prej 50% e diferencës midis normave doganore të aplikuara për importin e mallrave në fjalë në vendin tonë dhe normave doganore për mallrat e njëjta që vlejnë në BE, me qëllim të harmonizimit të mëtejshëm.

Ndryshimi ligjor në fjalë është në lidhje me rritjen e konkurrueshmërisë së kompanive vendore që eksportojnë në tregjet e huaja, rritjen e eksportit të Maqedonisë, si dhe rritjen e të ardhurave devizore, ndërsa pritet që të rriten edhe investimet dhe numri i punësimeve.

Me uljen e normave doganore në mënyrë direkte do t’u ofrohet ndihmë sektorëve të industrisë së makinave, përpunimit të metalit, metalurgjisë dhe energjetikës.

Me ndryshimet e fundit ligjore të propozuara është përfshirë edhe ulja e normave doganore për bateritë me litium-jon për ruajtjen e energjisë elektrike në sektorin e energjetikës. Qëllimi i kësaj mase është ta ndihmojmë sektorin energjetik, në kuadër të rritjes së kapaciteteve të saj, rritjen e konkurrueshmërisë në eksporte, si dhe pritet rritje e investimeve dhe rritje e numrit të punësimeve.

Propozimligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit të Tarifave Doganore do të dorëzohet për miratim në Kuvend.