“E nderuara rektore e Universitetit ‘Shën Kirili dhe Metodi’, prof. dr. Biljana Angelova,

I nderuar kryepeshkop i Kishës Ortodokse Maqedonase – Arqipeshkvia e Ohrit, Justiniana Prima, z. z. Stefan,

Të dashur kolegë, ekselenca të nderuara, mysafirë dhe miq të respektuar,

Sot e kremtojmë kujtimin dhe veprën e vëllezërve të shenjtë Kirili dhe Metodi, mësuesit tanë të parë, ndriçuesit e alfabetit sllav dhe themelin e identitetit tonë shpirtëror dhe kulturor.

Këta dy vëllezër, fisnikë në zemër dhe mendje, na lanë dhuratën më të madhe — shkrimin, shkronjën, zërin e identitetit tonë.
Dhe të mos harrojmë se më të mëdhenjtë më pas e përshkruan vlerën që këta vëllezër na e lanë dhe ja, për më shumë se një milenium, ata janë feneri ynë nëpër të gjitha stuhitë, nëpër të gjitha sfidat dhe tatëpjetat e jetës që i ngjitemi.

“Gjuha është themeli i vlerës, gjuha është themeli i vërtetë i kombësisë. Pa një gjuhë letrare, një popull është si një njeri pa shpirt,” thoshte i madhi Misirkov.

“Pa gjuhë nuk ka popull,” thoshte Bllazhe Koneski.

Dhe gjuha, shkronja jonë, fillon pikërisht me ta.

Shën Kirili, me një thellësi shpirtërore, e krijoi gllagolicën — alfabetin e parë sllav — i cili më vonë, përmes përkushtimit të nxënësve të tij, do të zhvillohet në alfabetin cirilik — alfabeti ynë. Vëllai i tij, Shën Metodi, si një mësues i mençur, luftoi që kjo fjalë të zinte vend ndër gjuhët e liturgjisë — krah për krah me latinishten, greqishten dhe hebraishten.

“Fjala e Zotit duhet të kuptohet nga të gjithë popujt, në gjuhën e tyre amtare,” thoshin vëllezërit e shenjtë.

Kjo luftë për të drejtën për të pasur zërin e vet, për të drejtën e shpirtit të vet, është themeli i luftës sonë shekullore për pavarësi, identitet dhe dinjitet kombëtar.

Misioni i tyre vazhdon përmes çdo nxënësi që mëson të lexojë, çdo shkrimtari që krijon, çdo mësuesi që përcjell dijen. Ata nuk janë vetëm e kaluara, ata janë një urë shekullore drejt së ardhmes.

Sot, kur populli ynë qëndron përballë sfidave të reja, kur bota përpiqet të na përkufizojë dhe shpjegojë, pikërisht misioni i tyre na kujton se kush jemi.

“Mos kini frikë nga e vërteta, ajo është dritë që nuk shuhet,” thoshte Shën Kirili. Dhe ajo dritë nuk është shuar. Ajo digjet në zemrën e çdo maqedonasi që e do gjuhën e vet, kulturën e vet dhe atdheun e vet — Maqedoninë.

Në këto ditë zakonisht në disa qarqe ndodh, do të thoja, një debat i thjeshtëzuar për atë se kush janë Vëllezërit e Shenjtë, kujt i përkasin dhe gjithmonë pa përjashtim lihet pas dore pamja e madhe, pa u menduar se sa shumë shkelet mbi veprën e tyre me një debat të tillë, harrohet roli i tyre dhe sa e parëndësishme është pyetja kujt i përkasin, krahasuar me pyetjen a i zbatojmë dhe sa i zbatojmë ne mesazhet, fjalët dhe amanetet që ata na lanë.

Dhe unë kurrë nuk do të hyj në një retorikë të tillë të pakuptimtë, sepse ne vetë nuk guxojmë ta gërryejmë vetveten dhe më së miri e dimë kush jemi dhe prej çfarë jemi krijuar.

A mund të përcaktohet një pyll me shumë lloje se nga cila bimë ka filluar të krijohet? A mund të dihet se cila grimcë rëre ka qenë e para, ajo farë e mençurisë dhe e dritës u mboll nga Shën Kirili dhe Metodi në tërë botën sllave dhe Maqedonia fitoi shkronjën, shkrimësinë dhe urtësinë shpirtërore përgjatë shekujve.

Nga ajo farë, që është “feneri ynë ndër shekuj dhe për të ardhmen”, mbinë edhe nxënësit më të mirë të tyre: Shën Klimenti, Shën Naumi, Gorazdi, Sava dhe Angellari. Kështu lindi edhe Kisha jonë e shenjtë Ortodokse Maqedonase, me një vazhdimësi shumë shekullore, themelët e drejtpërdrejtë të së cilës janë Kisha e Shenjtë e Kryepeshkopatës së Ohrit, që është e njëjtë me ish-Kryepeshkopatën e Justiniana Primës.

Edhe ky fjalim i imi dhe kjo ceremonia jonë solemne po ndodhin në Kishën Sofija e Shenjtë, e cila ishte dhe historikisht kisha kryesore e lavdishme e Kryepeshkopatës së Ohrit dhe pikërisht mes këtyre mureve, nën këto afreske, për shekuj me radhë u lavdërua Zoti, por gjithashtu u lind dhe u kultivua kultura jonë, identiteti ynë dhe u përforcua ekzistenca jonë. Dhe për këtë arsye, Kisha jonë Ortodokse Maqedonase është një nga kështjellat më të forta të popullit tonë. Ajo është nëna e rritjes sonë shpirtërore ndër shekuj, strehimi ynë dhe dëshmia më e fortë e ekzistencës sonë. Çdo goditje ndaj kishës sonë është goditje ndaj Maqedonisë, ndaj ekzistencës dhe qenies sonë.

Secili prej nesh duhet ta ruajë kishën, ta respektojë dhe të luftojë që të kontribuojë sa më shumë me unitet dhe dije, që të fitojmë në çështjet e rëndësishme për të ardhmen tonë. Dhe kjo sjellje duhet të jetë e njëjtë edhe brenda edhe jashtë, si për ata në lidhësen edhe për ata jashtë saj.

Ashtu duhet të sillemi edhe ndaj të gjitha vatrave tona që janë dëshmia e ekzistencës sonë. Edhe ndaj Universitetit më të vjetër “Shën Kirili dhe Metodi” edhe ndaj Akademisë sonë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve, e cila ka qenë dhe vazhdon të bashkojë shumë mendje të mençura dhe dinjitoze, bij dhe bija të popullit dhe shtetit tonë.

Sepse nuk jemi aq shumë sa të përçahemi dhe nuk jemi aq të fuqishëm sa të durojmë ndarjen.

Gane Todorovski shkruante:
“A jemi të paktë, po çfarë ka lidhje,
të paktë ndoshta, por prej shekujsh,
na kanë numëruar pafund herë, çdo ditë,
por ne jemi siç jeni ju, siç janë ata.
Dhe pavarësisht gjithçkaje, pavarësisht gjithçkaje,
sa jemi, aq jemi!”

Të dashur miq,

Dua të ndalem në dy çështje që janë thelbësisht të rëndësishme për ekzistencën tonë. E para janë sulmet e jashtme, bllokadat dhe mohimet me të cilat tashmë 30 vite, si shtet, po përballemi. Ato janë të drejtuara drejt gërryerjes së themeleve të ekzistencës sonë. Flamuri ynë, populli, himni, gjuha, kultura jonë. Duhet të jemi të vetëdijshëm se për shumëkënd, vetë ekzistenca jonë në këto troje nuk sjell gëzim.

Pas gjithë atyre mohimeve, pengesave dhe sulmeve, shumëkush mund të konludojë “A ekziston vallë ndonjë gjë që nuk na mohohet?” Përpara se të jap përgjigjen në këtë pyetje, duhet të them se si njeri dhe si kryeministër, ndihem shumë i qetë, sepse e di kush jam, e dimë kush jemi dhe çfarë jemi. Dhe nuk duhet të shqetësohemi nga ato mohime, sepse në një botë globale të të mëdhenjve dhe të vegjëlve, të të fortëve dhe të dobëtëve, ky është një proces natyror i dëshmimit. Popujve më të vegjël u mbetet të luajnë mençur dhe me qëndrueshmëri.

Sa i përket mohimeve, përgjigjen do ta marrin ata dhe të gjithë të tjerët, nga shkrimet origjinale që në këtë rast janë të ekspozuara vetëm dhjetëra metra larg nga vendi ku po e mbaj këtë fjalim. Nga dorëshkrimet origjinale të njërit prej shumë “të mëdhenjve” për popullin tonë.

Gjorgjija Pulevski, një nga personalitetet më të rëndësishme në historinë maqedonase, luftëtar për vetësinë kombëtare, shkrimtar, revolucionar dhe një nga të parët që theksoi ekzistencën e kombit dhe gjuhës maqedonase, para dy shekujsh shkroi:
“Unë me kombësi jam maqedonas, Maqedonasit janë popull, e jo fis dhe duam të kemi librat tanë, gjuhën tonë dhe një histori shumë shekullore.”

Shën Kirili dhe Metodi në shekullin e nëntë krijuan gllagolicën dhe e përkthyen Shkrimin e Shenjtë në gjuhën sllave të vjetër. Pulevski, nëntë shekuj më vonë, e vazhdoi veprën e tyre, por në një kontekst të ri — luftën për gjuhë kombëtare dhe identitet të maqedonasve. Ai përpiqej që gjuha maqedonase të fitonte legjitimitet letrar dhe kombëtar në një kohë kur ajo nuk njihej zyrtarisht. Si Kirili dhe Metodi, ashtu edhe Pulevski, e përdorën gjuhën si mjet për emancipim — të parët për emancipim shpirtëror, i dyti për atë kombëtar.

Menjëherë pranë këtyre dorëshkrimeve qëndrojnë edhe origjinalet e shkrimeve të Krste Petkov Misirkovit, i cili thoshte:
“Çdo popull ka të drejtë të krijojë gjuhën e vet letrare dhe kjo e drejtë u takon edhe maqedonasve. Sot duhet të përcaktohemi — a duam të jemi një popull me identitet të vetin, apo do të humbemi në popujt e tjerë.”

Këto figura të mëdha janë monumente të ekzistencës sonë, por edhe ato dorëshkrime janë një mesazh për ne vetë. Asnjë lëshim i yni në dëm të vetvetes gjatë këtyre tridhjetë viteve nuk do të kishte qenë i mundur po të mos kishin gjetur përçarje në radhët tona, do ta përsëris, asnjë lëshim nuk do të ishte i mundur po të mos kishin gjetur përçarje mes nesh, po të mos kishin hapur një grackë në dëm të interesit tonë. Ju lutem, kur të dilni, shikojini mirë dhe lexojini ato dorëshkrime. Dhe mbajeni mend: të gjithë ne jemi aq të fortë sa është e fortë hallka më e dobët në zinxhir.

Tema e dytë për të cilën dua të flas janë pikërisht ato përplasjet tona të brendshme, pengesat që i bëjmë vetes brenda shtetit përballë presioneve të qarta nga jashtë. Imagjinoni një situatë në të cilën do të ishim të bashkuar, të njëzëshëm për çështjet më të rëndësishme, diçka që realisht nuk ka ndodhur në më shumë se 30 vite. Imagjinoni një pozicion ku nuk do të ndahemi para faktorëve të jashtëm, nuk do të bienim në sytë e tyre përmes matematikës së numërimit të gjakut pro-perëndimor dhe pro-lindor, ku do të shfrytëzonim të gjitha mundësitë që na jep historia për t’u lidhur me proceset e mëdha në nivel evropian dhe botëror.
Imagjinoni një situatë ku pushteti dhe opozita do të vepronin si një, pa përçarje të brendshme, ku çdo aktor politik nuk do të mundohej të mbulojë dobësitë apo mungesën e mbështetjes popullore përmes nënshtrimit ndaj sfidave që vijnë nga jashtë. Duhet të them se fati dhe shansi i popujve të vegjël është që të pozicionohen me mençuri në interesat e aktorëve të mëdhenj në skenën politike. Kjo është mënyra e vetme për të mbijetuar. Dhe këtë duhet ta mbajnë në mend edhe ata nga opozita, kur sulmojnë marrëveshjen për partneritet strategjik me Mbretërinë e Bashkuar, kur thonë se borxhi do të rritej për shkak të investimeve, apo kur shpifin se do të silleshin migrantë vetëm që të fitojnë pika politike. Thjesht, si në kuptimin historik ashtu edhe në çdo kuptim tjetër, kjo retorikë nuk ia vlen dhe i bën dëm shtetit.

Imagjinoni ku do të ishim sot nëse më shumë se 30 vite më parë do të kishim bërë aleanca të forta me partnerët tanë strategjikë, me aleatët perëndimorë, nëse atëherë dhe në të gjitha vitet më pas nuk do të ishim përçarë, nuk do të grindeshim për qëllimet strategjike dhe do të krijonim miqësi prej të cilave do të përfitonin të gjithë qytetarët. Nuk ka nevojë të shikoni larg — mjafton të shikoni disa nga fqinjët tanë që zgjodhën një qasje të tillë, ata arritën më larg dhe më fuqishëm, sepse i kapën dhe i shfrytëzuan mundësitë historike.
Dhe të mos harrojmë, ndërsa të gjithë ne këtu ulemi së bashku në kostume komode dhe karrige të buta, mos harroni asnjë moment se populli jeton me vështirësi, me mundime dhe disa procese si emigrimi janë tejet të dhimbshme dhe të dëmshme.
Dhe kjo nuk ka ndodhur dje, por kjo vdekje e heshtur është sfida më kryesore me të cilën duhet të përballemi. Këto janë problemet me të cilat fle dhe zgjohem. Por njëkohësisht, këto janë problemet për zgjidhjen e të cilave duhet të punojmë të gjithë së bashku.
Që të bëjmë hapa kuantikë, na duhet ndërtimi i një uniteti shtetëror dhe kombëtar. Të shtrijmë dorën dhe të arrijmë marrëveshje thelbësore për çështjet më të rëndësishme të atdheut. Unë nuk kërkoj unitet për çdo gjë, por për çështjet më të rëndësishme. Uniteti nuk do të thotë të jemi të njëjtë, por të jemi bashkë në dallimet tona. Përpjekjet e mia si njeri që ka përgjegjësinë të udhëheqë Qeverinë janë të zgjidh sa më shumë probleme së bashku me bashkëpunëtorët e mi, por edhe të arrij unitet të rëndësishëm për shtetin. Mesazhi im është për mobilizimin e çdo potenciali kreativ në funksion të të ardhmes së përbashkët, të veprojmë me pjekuri dhe energji të madhe për ndryshime. Të njohim rëndësinë e momentit, të kemi marrëveshje dhe konsensus për të ardhmen e shtetit.
Në të kaluarën, populli vazhdimisht priste të kalonte koha e dikujt. I thoshin pritë, duhet të kalojë koha e tranzicionit, pastaj pritë, tani është koha për konflikte të ndryshme ushtarake, pastaj koha e krizave ekonomike të borxhit, më pas duhet të kalojë koha e negociatave për aleancat e mëdha, krizat kushtetuese dhe çfarë tjetër ky popull nuk kaloi. Por unë ju them se nuk ka kohë për pritje dhe tani vjen koha e vetme, e kjo është koha për Maqedoninë.

Lumturia ime personale është krejtësisht e parëndësishme nëse populli është i palumtur. Çfarë jemi ne në raport me pyetjen dhe sfidën për të fituar për Maqedoninë, më në fund pas më shumë se 30 vjetësh, të vijë jo e imja, por të luftojmë për kohën e Maqedonisë. E që të kemi progres, duhet të besojmë dhe të mbështetemi fort mbi parimet. Dallimi me shumë të tjerë është se disa në skenën politike jetojnë nga shteti, e të tjerët jetojnë për shtetin. Duhet të arrijmë përgjegjësi dhe kurrë, as më parë e as nga tani e tutje, nuk do të gjunjëzohem ndaj presioneve, as nuk do të bëj pakt me krimin dhe ata që kanë qëllim ta varfërojnë shtetin apo të bëjnë pakte në dëm të identitetit të qytetarëve të Maqedonisë. Mos harroni se më e mira nga historia jonë është shkruar me sakrificë, virtyt dhe unitet.

Mahatma Gandi thoshte se: “Patrioti i vërtetë është ai që e do vendin e tij mjaftueshëm për ta përmirësuar, jo për ta ndjekur verbërisht.”

Sot, më shumë se kurrë, jemi përballë sfidës për të forcuar vlerën më të madhe që një komb mund të ketë, e ajo është uniteti.
Kjo do të thotë të kuptojmë se ndryshimi nuk është dobësi, por forcë. I fortë është ai vendi, qytetarët e të cilit qëndrojnë pranë njëri-tjetrit, jo për shkak të frikës, por për shkak të shpresës së përbashkët. Jo sepse janë të detyruar, por sepse besojnë në atë të ardhme të përbashkët. Historia jonë është dëshmi e asaj që mund të arrijmë kur jemi të bashkuar. Në kohët më të vështira, kur ishim të shtypur, të ndarë, madje edhe kur na u mohua e drejta të flasim me zërin tonë, gjithmonë jemi ngritur përmes bashkimit.
Sot, uniteti nuk kërkohet vetëm në barrikada apo në mbrojtje, por në përditshmëri. Në mënyrën se si flasim, se si zgjidhim problemet, se si ndërtojmë shtetin tonë. Të jemi një komb që nuk ka frikë nga dallimet, por i përqafon ato. Një popull që di se vetëm me hapa të përbashkët mund të ecë përpara.

E të mos harrojmë: Nuk ka patriotizëm më të madh se të bashkohemi për të mirën e të gjithëve. Jo për individë, jo për parti, por për atdheun tonë. Nuk ka Perëndimore apo Lindore, nuk ka shtet të kësaj apo asaj partie, por vetëm një Maqedoni të vetme.
Dhe prandaj, sot nuk flasim vetëm për të kaluarën, por festojmë këmbënguljen tonë, vendosmërinë tonë, fitoret tona.
Na duhen fitore. Fitore që nuk matën gjithmonë me fanfara apo me tituj gazetash, por me luftën e përditshme për njeriun e thjeshtë, për punën e punëtorit, për dijen e nxënësve, për besimin e të rinjve dhe për mençurinë e të moshuarve tanë.
Ne jemi një popull që shumë herë është nënvlerësuar, por kurrë i nënshtruar. Një popull që ecën drejt.
Fitoret tona janë të heshtura, por të thella. Nuk janë vetëm për ne, ato janë një mesazh për botën.
Ne jemi një vend ndoshta i vogël në territor, por i madh në zemër dhe prandaj, kur shohim përpara, të mos frikësohemi, por të krenohemi.

Të besojmë në atë që jemi dhe më shumë në atë që mund të jemi.

Të bashkuar, ne jo vetëm që do të mbijetojmë, por vetëm kështu do të fitojmë.

Rroftë atdheu ynë i përbashkët dhe Zoti e bekoftë Maqedoninë!”