Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në përgjigje të pyetjes gazetareske lidhur me parashikimet e Komisionit Evropian për rritjen ekonomike të Maqedonisë, deklaroi se rritja bazohet në realizimin e projekteve kapitale infrastrukturore si dhe në rritjen e konsumit, që është rezultat i rritjes së pagave.

„Pra, ajo bazohet në realizimin e investimeve kapitale infrastrukturore dhe konsumit, për shkak të rritjes së pagave. Ajo është pozitive, me perspektiva pozitive për shtetin edhe pse unë jam optimist se do të jetë edhe më e madhe.
Vitin e kaluar, kur u zgjodhëm si Qeveri, Banka Botërore parashikonte një rritje prej 1.8%. Ne e tejkaluam atë me rreth 70%, arritëm një rritje prej 2.8%. Tremujori i tretë, vitin e kaluar ishte 3%, i katërti 3.2%, ndërsa tani pres që rritja të jetë ndërmjet 3.5% dhe 4% të bruto produktit të vendit,“ theksoi Mickoski.

„Pse? Sepse jemi një nga të rrallët, ndoshta i vetmi në rajon — një shtet që ka rritje të prodhimit industrial në tremujorin e parë. Kemi rritje të turizmit. Këtu buzëqesh — Zoran Ljutkov në sfond, natyrisht i gëzuar dhe i kënaqur, sepse opozita harroi se Ljutkov është ministër i kulturës dhe turizmit.
Në tremujorin e parë të këtij viti kemi një rritje prej më shumë se 10%, bazuar në numrin e turistëve dhe në numrin e netëve të qëndrimit. Që është një rast i rrallë në Evropë — të mos them, i vetmi. Kemi rritje edhe në prodhimin bujqësor. Kemi gjithashtu rritje edhe në punimet ndërtimore të përfunduara. Konsumi ka rritje dyshifrore.

Kështu që, kemi rritje të investimeve të huaja direkte dhe rritje të eksportit. Edhe pse ka krizë në industrinë automobilistike, ajo nuk e prek shtetin tonë. Realizimi i investimeve kapitale po ndodh në baza ditore. Prandaj, treguesit e parë që po ecim në drejtim të mirë tashmë shihen qartë.

Pres që në tremujorin e parë të këtij viti të jemi ndërmjet 3.5% dhe 4%. Inflacioni në mars ishte 2.7% në nivel vjetor, ndërsa në nivel mujor është -1.3%. Në prill ishte 2.6% në nivel mujor 0.6%.

Prandaj, nëse i shohim të gjithë këta tregues, mund të them se jam edhe më shumë optimist dhe se ka gjasa ta përfundojmë vitin me ato projeksione që i kemi pasur, me rritje prej mbi 3.5%“, shpjegoi ai.