Sot jemi mbledhur për të shënuar një partneritet dhe jemi këtu për të shprehur mirënjohje. Ta njohim kontributin e një aleati, të një vizioni, të një platforme vlerash që është bërë pjesë e historisë dhe rrugës sonë moderne. Fondacioni Konrad Adenauer, i emërtuar sipas njërit prej burrështetasve më të mëdhenj evropianë të shekullit 20, është ambasador i idesë demokratike. Ai është një dëshmi se vlerat mund të udhëtojnë përtej kufijve, përtej brezave dhe përtej vështirësive — dhe të rrënjosin stabilitet, dialog dhe shpresë, tha kryeministri Hristijan Mickoski sot në pritjen solemne me rastin e shënimit të 25-vjetorit të punës së Fondacionit Konrad Adenauer në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Kancelari gjerman Konrad Adenauer dikur ka thënë:

“Historia nuk ndryshohet me fjalë, por me vepra. Dhe veprat fillojnë me vizion dhe guxim.”

Duke filluar që nga koha kur shoqëria jonë përballej me tranzicionin, me pasiguri ekonomike dhe politike, fondacioni ishte i pranishëm- me trajnime, me debate publike, me mbështetje për organizatat qytetare, me edukimin e të rinjve. Vepronte me respekt. Me mirëkuptim. Me vullnet për të ndërtuar dhe për të dëgjuar. Dhe pikërisht në ato kohë të vështira ndërtohet miqësia e vërtetë. Jo kur festohet, por kur dyshohet. Jo kur është lehtë, por kur është e nevojshme, theksoi Mickoski.

Kryeministri Mickoski theksoi se Fondacioni Konrad Adenauer besoi tek ne, siç tha, edhe kur disa të tjerë hezitonin.

Rruga jonë drejt demokracisë nuk ishte e drejtë dhe lineare. Kemi bërë gabime, kemi hasur në pengesa, kemi përjetuar zhgënjime. Por gjithmonë kemi pasur partnerë që kanë besuar në kapacitetin tonë për përparim. Fondacioni Konrad Adenauer besoi tek ne edhe kur të tjerët hezitonin. Besoi se mund të bëhemi pjesë e familjes evropiane. Se të rinjtë këtu meritojnë një të ardhme në atdheun e tyre, nënvizoi ai dhe shtoi:

Prandaj, kur sot flasim për eurointegrimet, për sundimin e ligjit, për luftën kundër korrupsionit, për lirinë e mediave- e dimë se pas këtyre proceseve nuk qëndrojnë vetëm deklarata politike. Qëndrojnë vite investimi, bashkëpunimi dhe vizioni.

Citoj edhe një herë, kësaj radhe vetë Konrad Adenauer:

“Paqja nuk është vetëm mungesë e luftës, por prani e drejtësisë, stabilitetit dhe dinjitetit njerëzor.”

Kjo thënie sot është më aktuale se kurrë më parë. Në një botë ku demokracia është nën presion, ku po lindin mure të reja dhe vlerat e vjetra po vihen në pikëpyetje, nevojiten institucione që do të qëndrojnë të forta. Nevojiten aleanca që nuk bazohen në interes, por në ideale. Fondacioni Konrad Adenauer është pikërisht një aleat i tillë. Dhe jo rastësisht, shumë të rinj që sot janë aktivë politikisht dhe nëpër shoqata, debatin e tyre të parë, ligjëratën e parë, udhëtimin e tyre të parë në Evropë- e kanë përjetuar përmes programeve të këtij fondacioni, deklaroi ai.

Kjo është pasuria më e madhe që mund të lihet: vlera të mbjella në zemrat dhe mendjet e gjeneratave të reja.

Kryeministri Mickoski i shprehu mirënjohje Fondacionit Konrad Adenauer për besimin dhe bashkëpunimin e deritanishëm, duke shpresuar se i njëjti do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Nëse kemi mësuar diçka gjatë këtyre tre dekadave të fundit, ajo është se ndryshimet e qëndrueshme janë të mundshme vetëm kur ndërtohen nga brenda- por me një mbështetje të jashtme që është e ndershme, kompetente dhe e orientuar drejt vlerave. Prandaj, në emër të Qeverisë, dua të shpreh mirënjohje të thellë për Fondacionin Konrad Adenauer. Për besimin. Për këmbënguljen. Për partneritetin. Le të vazhdojë ky bashkëpunim. Le të frymëzojë të rinj, ide të reja dhe shpresë të re. Të vazhdojë miqësia ndërmjet Maqedonisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë, porositi Mickoski.