Sot, gjatë vizitës në qendrën e trajnimit në Idrizovë, ku u promovua qasja e re për trajtimin e personave që kanë shkelur ligjin, kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, dha deklaratë edhe në lidhje me marrëveshjen historike për partneritet strategjik me Mbretërinë e Bashkuar.

“Arsyeja e parë është strategjike dhe politike. Sa më shumë marrëveshje strategjike dhe partneritete të tilla që kemi me faktorë të mëdhenj dhe të rëndësishëm botërorë, siç është Mbretëria e Bashkuar, aq më afatgjatë do të jetë stabiliteti dhe perspektiva e Maqedonisë si shtet, por edhe e qytetarëve të saj. Unë e shoh këtë marrëveshje si një hap përpara në atë drejtim. Jam i bindur se një miqësi dhe partneritet i tillë mund të sjellë vetëm gjëra të mira për qytetarët,” deklaroi kryeministri Mickoski.

“Në kuptim ekonomik – kjo është arsyeja e dytë – tashmë kemi përmendur se kemi një kornizë me të cilën na vihen në dispozicion rreth 6 miliardë euro, ose rreth 5 miliardë funta. Bëhet fjalë për dy lloje projektesh që janë dakorduar për realizim.

I pari është rikonstruksioni, modernizimi dhe ndërtimi i një binari shtesë të hekurudhës që është pjesë e Korridorit 10, në segmentin nga Tabanoci deri në Gjevgjeli.

Grupi i dytë i projekteve lidhet me shëndetësinë: përfundimi i Qendrës Klinike në Shtip, së bashku me Fakultetin e Mjekësisë dhe konviktin studentor me 200 shtretër, përfundimi i institucionit shëndetësor në Kërçovë dhe rikonstruksioni i Spitalit Klinik në Tetovë.

“Do të vazhdojmë edhe më tej ta shfrytëzojmë kornizën që kemi në dispozicion. Këtu, sigurisht, përfshihen projekte nga energjetika, projekte veçanërisht nga transporti, si dhe projekte nga fusha e mjekësisë dhe shëndetësisë,” theksoi Mickoski.

“Është e mundur që, në një të ardhme të afërt, nëse gjithçka funksionon ashtu siç presim, të ndërtohet edhe Qendra e Madhe Klinike në Shkup. Kështu që, përfitimet do të shumëfishohen dhe unë jam i bindur se si shtet jemi në prag të një periudhe transformuese.

Bëhet fjalë për projekte transformuese që synojnë të shtojnë vlerë – jo vetëm në cilësinë e jetës së qytetarëve këtu, por edhe në ekonominë maqedonase në përgjithësi,” është decid kryeministri Mickoski.

Në ditët në vijim do të realizohet edhe një vizitë në Londër, ku delegacione të larta nga të dyja qeveritë do të nënshkruajnë marrëveshje.