Milloshoski: As masgjistari David Copperfield nuk mund të realizojë reforma në drejtësi me këtë Këshill Gjyqësor

“Tragjike apo jo, por reforma në gjyqësor me këtë përbërje të Këshillit Gjyqësor nuk do të mund ta realizonte as iluzionisti Dejvid Koperfild”, shkruan ai në Facebook.
Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski, në profilin e tij në Facebook ka komentuar zgjedhjen e djeshme të gjyqtarëve në Gjykatën e Apelit, duke e quajtur të paligjshme, ndërsa për kryetarin e Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, thekson se ka kryer edhe vepër penale.
“Në procedurën për zgjedhjen e gjyqtarëve në Apelin e Shkupit janë bërë shkelje thelbësore të procedurës nga ana e Këshillit Gjyqësor, ka pasur zbatim të gabuar të së drejtës materiale dhe nuk është përcaktuar plotësisht gjendja faktike. Këto janë paligjshmëri serioze për shkak të të cilave, në rast të një padie të mundshme nga ndonjë prej kandidatëve para gjykatës kompetente, do të anulohen vendimet për zgjedhje në Apelin e Shkupit, ngjashëm siç u anulua kohë më parë edhe procedura e paligjshme e Këshillit Gjyqësor për propozimin e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese”, shkruan Milloshoski.
Sipas tij, nëse Prokuroria Publike apo ndonjë nga kandidatët siguron të gjithë dokumentacionin që tregon se Këshilli Gjyqësor ka injoruar vendimin përfundimtar të Gjykatës Supreme dhe aktgjykimin e formës së prerë të Gjykatës Administrative – të cilat pas padisë së njërit prej kandidatëve tregojnë për shkelje thelbësore nga ana e Këshillit në këtë procedurë të renditjes – atëherë do të kenë bazë serioze për ngritjen e aktakuzës kundër kryetarit të Këshillit, Aleksandar Kambovski, për moszbatim të vendimit gjyqësor, që është e dënueshme sipas nenit 377 të Kodit Penal.
“Tragjike apo jo, por reforma në gjyqësor me këtë përbërje të Këshillit Gjyqësor nuk do të mund ta realizonte as iluzionisti Dejvid Koperfild”, thotë ai.
Milloshoski thekson gjashtë parregullsi, të cilat i shpjegon në detaje. Sipas tij, e para ka të bëjë me faktin që as procesverbalet dhe as listat e renditjes për kandidatët për gjykatën e Apelit në Shkup nuk janë të nënshkruara dhe të verifikuara në përbërje të plotë nga Komisioni për renditjen e kandidatëve për zgjedhje në gjykatë më të lartë, i cili duhet të ketë tre anëtarë – ndërsa janë nënshkruar vetëm nga dy.
“Tetë ditë pas nënshkrimit të paplotë të procesverbaleve dhe listave të renditjes, dikujt në Këshillin Gjyqësor i është bërë e qartë se po veprojnë në kundërshtim me nenin 2 dhe nenin 11 të Rregullores për mënyrën e renditjes së kandidatëve për gjykatë më të lartë, kështu që më 22.01.2025 është sjellë Vendim për plotësimin e vendimit për formimin e komisionit, në vend të Mirsad Suroji të jetë anëtar Ariton Ala, por me këtë vendim nuk mund të korrigjohet shkelja e bërë tashmë. Për këtë arsye, lista e propozuar e renditjes është akt i pavlefshëm mbi të cilin nuk mund të ushtrohen të drejta, dhe as nuk është dashur të vazhdohet procesi i përzgjedhjes”, thekson ai.
Si parregullsi të dytë, shton Milloshoski, kryetari aktual i Këshillit, Aleksandar Kambovski, ka kryer vepër penale të moszbatimit të vendimit gjyqësor në lidhje me këtë proces të renditjes së kandidatëve për zgjedhje në gjykatë më të lartë.
“Edhe pse është njoftuar pesë muaj para seancës së djeshme, ai si kryetar i Këshillit Gjyqësor nuk ka vepruar sipas vendimit përfundimtar të Gjykatës Supreme dhe aktgjykimit të formës së prerë të Gjykatës Administrative, të cilët tregojnë për shkelje thelbësore nga ana e Këshillit Gjyqësor të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative dhe për përcaktim të gabuar të gjendjes faktike në procedurën e vlerësimit të njërit prej kandidatëve – gjë që është në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Këshillin Gjyqësor. Moszbatimi i vendimit gjyqësor paraqet vepër penale të veçantë e paraparë me nenin 377 të Kodit Penal, ku në paragrafi 2 është paraparë dënim me gjobë ose burg deri në tre vjet. Këshilli Gjyqësor e ka bërë përzgjedhjen e gjyqtarëve dje pa e pritur vendimin e Gjykatës Administrative mbi padinë dhe propozimin për masë të përkohshme të paraqitur kundër vendimit të Këshillit Gjyqësor në procedurën e vlerësimit të kandidatëve”, shpjegon Milloshoski.