Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Muçunski, dje dhe sot ndodhet për vizitë pune në provincën gjermane Rajna veriore-Vestfalia. Në kuadër të vizitës, Ministri realizoi takim me nikoqirin e tij, Ministrin për çështjet federale, evropiane, ndërkombëtare dhe mediat dhe shefin e zyrës shtetërore të provincës, Natanael Liminski, si dhe me sekretarin shtetëtor, Mark Shpajh.

Në fokus të bisedimeve ishin marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe bashkëpunimi dinamik që është zhvilluar në periudhën e kaluar. Ministri Mucunski theksoi se Rajna veriore-Vestfalia, është një partner jashtëzakonisht i besueshëm i vendit tonë – si në sferën politike dhe ekonomike, ashtu edhe në mbështetjen e integrimit evropian. Ai shprehu mirënjohje për mbështetjen parimore dhe të vazhdueshme nga provinca, si dhe për angazhimin personal të Ministrit Liminski në promovimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe institucional.

“Kjo provincë është selia e shumë kompanive kryesore gjermane dhe shtëpia e një diaspore të madhe maqedonase – faktorë që forcojnë më tej marrëdhëniet tona. Së bashku shprehëm bindjen tonë se kjo vizitë hap një kapitull të ri në partneritetin tonë dhe se do të vazhdojmë me aktivitete konkrete për të promovuar lidhjet politike dhe ekonomike, deklaroi Ministri Mucunski pas takimit.

Në kuadër të vizitës së punës, Ministri Mucunski u takua edhe me Feliks Neugart, Drejtor i Agjencisë për tregti dhe investime i Rajnës Veriore-Vestfalisë. Bisedat iu kushtuan mundësive për intensifikim të mëtejshëm të bashkëpunimit tregtar, realizimit të investimeve të reja në sektorë strategjikë, si dhe thellimit të partneriteteve në fusha të tilla si energjia, turizmi, teknologjitë e përparuara dhe digjitalizimi.

Gjithashtu, u shqyrtuan përfitimet që vendi ynë u ofron investitorëve të huaj, si dhe gatishmëria e Qeverisë për të qenë një partner aktiv dhe i besueshëm në zbatimin e projekteve të tyre. Bashkëbiseduesit ranë dakord se ekziston potencial real për nxitjen e bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik në periudhën e ardhshme.