Drejtori ekzekutiv i kompanisë SpaceX, Elon Musk, deklaroi se po i jep përparësi vizionit të tij për jetën në Mars, ndërsa angazhimi i tij në Departamentin për Efiçiencën e Qeverisë po i afrohet fundit.

“Marsi është një sigurim jete. I gjithë jeta në Tokë përfundimisht do të shkatërrohet nga Dielli. Ai gradualisht po zgjerohet, dhe për këtë arsye, në një mënyrë apo tjetër, duhet të bëhemi një civilizim shumëplanetar, sepse Toka do të shkatërrohet”, tha Musk për Fox News.

Ai shpjegoi se vizioni i tij për Marsin nuk është thjesht ulja në planet, vendosja e një flamuri dhe lënia e gjurmëve të këmbës, por qëllimi është krijimi i një “qyteti të vetëqëndrueshëm”.

“Pika kyçe që do të përcaktojë fatin e jetës është që Marsi të bëhet mjaftueshëm i vetëqëndrueshëm dhe të mund të zhvillohet vetë, edhe nëse ndalet dërgimi i anijeve furnizuese nga Toka, pa marrë parasysh nëse kjo ndodh për shkak të një katastrofe që shkatërron civilizimin apo në mënyrë paqësore”, tha Musk.

Në muajin mars, Musk njoftoi në platformën X se anija e tij hapësinore do të niset drejt planetit të kuq në fund të vitit 2026 me robotin Optimus. Ai parashikoi që njerëzit do të mund të zbresin në Mars deri në vitin 2029, megjithëse më e mundshme është që kjo të ndodhë në vitin 2031.

Sipas të dhënave të agjencisë amerikane NASA, Dielli – një yll me rreze rreth 700.000 kilometra – do ta shpenzojë të gjithë energjinë e vet kur të fillojë të shuhet dhe do të zgjerohet në një “yll gjigant të kuq”.

Agjencia thekson se “ylli gjigant” mund të bëhet aq i madh sa të përpijë Mërkurin, Venusin dhe madje edhe Tokën, megjithëse shkencëtarët parashikojnë se jeta e Diellit do të zgjasë edhe rreth pesë miliardë vjet.