Më 14 maj 2025, në Këndin e kujtesës “Fadil Sulejmani” në organizim të Parlamentit Studentor të
Universitetit të Tetovës, u zhvillua me sukses aktiviteti kulturor “Ora letrare”, një mbrëmje e
veçantë që i kushtohet fuqisë shprehëse të fjalës artistike dhe ndikimit të saj në zhvillimin shpirtëror
dhe kulturor të studentëve. Kjo ngjarje u shndërrua në një skenë të hapur për krijimtarinë letrare dhe
interpretimin artistik.
Studentë nga Fakulteti Filologjik, Fakulteti i Arteve, Fakulteti i Mjekësisë dhe nga njësi tjera,
lexuan para publikut poezi, prozë dhe pjesë teatrore, duke dëshmuar nivel të lartë të ndjeshmërisë
dhe shprehjes artistike. Në një atmosferë të ngrohtë e emocionale, të pranishmit patën mundësinë të
përjetojnë përmes fjalës së shkruar një mozaik ndjenjash, reflektimesh dhe mesazhesh njerëzore.
Pjesë e interpretimit ishin: Altina Sulemani me prozën “Unë përballë të tjerëve”; Sibora Hoxha
me poezinë “Strugë” dhe prozën “Dashuria që s’ka emër”; Amra Nesimi me “Nën zhurmën e
bisedave”; Gzim Latifi me monologun e Andrejit nga “Tri motrat” e Anton Çehovit; Zana Reçi
me poezinë në anglisht “To be consumed”; Valon Nuhija me poezinë “Pikëpresje”; Zurijet
Sulejmani me interpretimin e poezisë së Robert Burns “Fshatar i ndershëm ish im atë” dhe
Albulena Ademi me prozën “Nën hijen e dhimbjes, në dritën e mjekëve”.
Mbrëmja u përmbyll me një performancë muzikore emocionuese nga studentja Florentina Abazi, e
shoqëruar në kitarë nga Granit Vela, duke krijuar një përmbyllje të denjë për një aktivitet që
ngërthen artin, ndjesinë dhe shpirtin rinor.
Universiteti i Tetovës shpreh mirënjohje për Parlamentin Studentor për organizimin profesional dhe
falënderon të gjithë studentët pjesëmarrës për angazhimin e tyre të palodhur në promovimin e
vlerave artistike. Ngjarje të tilla jo vetëm që pasurojnë jetën kulturore të universitetit, por edhe
nxisin mendimin kritik, krijimtarinë dhe dialogun mes të rinjve – duke forcuar identitetin kulturor
dhe shpirtëror të brezave të ardhshëm.