Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se në samitin e ardhshëm të NATO-s në qershor, të gjitha vendet anëtare do të bien dakord që të rrisin shpenzimet për mbrojtjen gjatë dekadës së ardhshme në pesë për qind të PBB-së.
Rubio e tha këtë në një intervistë për Fox News pas pjesëmarrjes në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s në Antalia, Turqi.
Shefi i tij, presidenti amerikan Donald Trump, gjatë mandatit të tij të parë nga viti 2017 deri në 2021, e kishte ulur financimin për NATO-n, duke u ankuar shpesh se SHBA po kontribuon padrejtësisht më shumë krahasuar me anëtarët e tjerë të Aleancës.
“Mund t’ju them se për gjashtë javë do të kemi një takim ku pothuajse çdo anëtar i NATO-s do të jetë në dy ose më shumë për qind të PBB-së, por ajo që është edhe më e rëndësishme, shumë prej tyre do të kalojnë katër për qind dhe të gjithë do të bien dakord për qëllimin prej pesë për qind në dekadën e ardhshme”, tha kreu i diplomacisë amerikane.
Ministri i ri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, deklaroi më herët këtë javë se Berlini mbështet kërkesën e Trump që vendet anëtare të rrisin shpenzimet për mbrojtje në pesë për qind të PBB-së.
Samiti i NATO-s do të mbahet më 24 dhe 25 qershor në Holandë.