Të paktën 20 palestinezë janë vrarë në sulmet që ushtria izraelite ka kryer në shkallë të gjerë në pjesë të ndryshme të Rripit të Gazës gjatë natës, transmeton Anadolu.

Sipas agjencisë palestineze të lajmeve WAFA, avionët luftarakë izraelitë bombarduan disa banesa në ndërtesën e apartamentit “Rumuz” pranë zonës Al-Karama në veriperëndim të qytetit të Gazës.

Në sulmet izraelite humbën jetën 15 palestinezë ndërsa 10 të tjerë u plagosën.

Katër persona u vranë ndërsa 5 të tjerë u plagosën pasi ushtria izraelite bombardoi shtëpinë që i përket familjes Al-Attar në lagjen Al-Salatin në perëndim të Beit Lahia në veri të Rripit të Gazës.

Një person u vra dhe disa të tjerë u plagosën kur një mjet ajror pa pilot (dron) i ushtrisë izraelite shënjestroi një grup palestinezësh në qytezën Jabalia, në veri të Gazës.

Përveç kësaj, ushtria izraelite hodhi në erë shumë shtëpi dhe ndërtesa civile në qytetin e Gazës dhe në qytetin Rafah në jug të Rripit të Gazës.

Që kur ushtria izraelite rifilloi sulmet e saj, 2.436 palestinezë kryesisht të moshuar, gra dhe fëmijë, janë vrarë dhe 6.450 të tjerë janë plagosur.

Numri i palestinezëve të vrarë në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 është rritur në 52.535 ndërsa numri i të plagosurve në 118.491.