Në kuadër të projektit INNOVA8PEACE: “Mendim Krijues për Ndërtuesit e Rinj të Paqes – Programi Erasmus+ KA210 për Rininë”, Universiteti i Tetovës, në bashkëpunim me partnerët, Shoqata Ndërkombëtare e të Rinjve dhe Studentëve për Paqe – Evropë dhe në Lindje të Mesme (IAYSP) dhe CARP nga Rumania, organizoi aktivitetin “Trajnim për Trajnerë”, i cili u zhvillua prej 7 deri më 12 maj 2025, në Tetovë. Qëllimi i këtij trajnimi ishte fuqizimi i të rinjve në drejtim të ndërtimit të paqes dhe përgatitjes së tyre si trajnerë të së ardhmes.
Përfaqësuesit e organizatave partnere u pritën nga Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, dhe Kryetari i Senatit, Prof. Dr. Kenan Ferati. Gjatë takimit u diskutua për rrjedhën e trajnimit si dhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në projekte të ndryshme, që do të kontribuojnë në afirmimin dhe zhvillimin e gjithanshëm të studentëve tanë dhe të rinjve në përgjithësi. Të pranishmit patën gjithashtu mundësinë të vizitojnë disa nga hapësirat e kampusit të Universitetit të Tetovës.
Universiteti i Tetovës u përfaqësua nga Koordinatori i projektit, Doc. Dr. Agron Iljazi, dhe studentet Besjana Izairi, Amra Azizi dhe Elma Sulejmani.
Gjatë këtij trajnimi intensiv, pjesëmarrësit patën mundësi të thellohen në tema me rëndësi të veçantë për shoqërinë, si: hartimi dhe dizajnimi i projekteve për ndërtimin e paqes; metodat e avancuara për komunikim efektiv gjatë trajnimeve; teknikat për identifikimin dhe përkufizimin e qartë të problematikave që synohet të adresohen; mënyrat më efikase për të angazhuar dhe udhëhequr procesin e ndërtimit të paqes dhe zhvillimit të dialogut.
Ky trajnim i pajisi studentët me njohuri praktike dhe teorike, të cilat do t’i ndihmojnë jo vetëm gjatë rrugëtimit të tyre akademik, por edhe në përgatitjen për të qenë trajnerë të së ardhmes – bartës të vlerave të paqes, bashkëpunimit dhe mirëkuptimit në çdo komunitet ku ata do të veprojnë.