15.000 nxënës në vitin e fundit të arsimit të mesëm do të japin nesër provimin e parë nga dy provimet eksterne të maturës shtetërore të këtij viti – gjuhën amtare dhe letërsinë, i cili është i detyrueshëm për të gjithë maturantët.
Sipas të dhënave të Qendrës Shtetërore të Provimeve, për maturën shtetërore këtë vit janë paraqitur 15.004 kandidatë. Nga ta, 8.816 janë nxënës të shkollave të mesme profesionale, 5.966 nga gjimnazet dhe 222 nga shkollat e arsimit artistik.
Për provimin e parë ekstern të nesërm janë paraqitur:
– 9.969 nxënës për gjuhën maqedonase,
– 4.339 për gjuhën shqipe,
– 292 për gjuhën turke
– dhe 10 nxënës për gjuhën serbe.
Provimi i dytë ekstern i maturës shtetërore, i cili është në zgjedhje të nxënësve, do të mbahet më 11 qershor. Ashtu si në vitet e kaluara, shumica kanë zgjedhur gjuhën angleze (13.457 nxënës).
Për testin e matematikës janë paraqitur 1.246 nxënës, 73 do të japin gjuhën gjermane, 24 – gjuhën frënge, 62 – estetikë, 7 – filozofi, 4 – gjuhën ruse dhe 3 – gjuhën italiane.
Për mbikëqyrjen e procesit të provimeve, QSHP edhe këtë vit do të angazhojë rreth 2.000 testues.
Provimet do të mbahen në shkolla që përmbushin kushtet sipas Rregullores për organizimin e maturës shtetërore, ndërsa për nxënësit nga shkollat që nuk kanë kushte të tilla, është siguruar hapësirë në amfiteatrot e fakulteteve. DIC në ueb-faqen e saj ka publikuar lokacionet për dhënien e maturës shtetërore në afatin e qershorit.
Maturantët që nuk e kalojnë maturën në qershor ose nuk e kalojnë tërësisht, do të mund të paraqiten në afatin e gushtit – më 12 gusht do të mbahet provimi në gjuhën amtare dhe letërsi (maqedonisht, shqip, turqisht, serbisht), ndërsa më 14 gusht do të mbahet provimi zgjedhor ekstern (matematikë, anglisht, frëngjisht, gjermanisht, rusisht, italisht, filozofi, estetikë).