Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi sot se është i hapur ndaj një marrëveshjeje që mund të çojë në përfundimin e operacioneve ushtarake në Rripin e Gazës, por theksoi se një zgjidhje e tillë duhet të përfshijë largimin e Hamasit dhe çarmatimin e plotë të enklavës palestineze.

Deklarata nga zyra e tij vjen në një kohë kur sulmet ajrore dhe tokësore të ushtrisë izraelite në Gaza janë intensifikuar ndjeshëm, me qëllim, sipas autoriteteve izraelite, lirimin e pengjeve dhe shkatërrimin e Hamasit. Këto zhvillime janë dënuar gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar për shkak të humbjeve të mëdha në radhët e civilëve.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, të paktën 464 palestinezë janë vrarë dhe 1,418 janë plagosur gjatë javës së fundit, që nga 11 maji deri më 17 maj, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

“Ekipi negociator në Doha po përpiqet të shfrytëzojë çdo mundësi për të arritur një marrëveshje, qoftë sipas planit të propozuar nga ndërmjetësi amerikan Steve Witkoff, apo brenda një kornize më të gjerë që përfshin lirimin e të gjithë pengjeve, dëbimin e Hamasit dhe çarmatimin e Gazës”, thuhet në deklaratën zyrtare.

Megjithatë, një zyrtar i lartë izraelit ka pranuar se përparimi në bisedime është ende minimal, duke lënë të hapur skenarin për vazhdimin e dhunës në rajon.