Ndërtimi i hekurudhës së shpejtë të Korridorit 10 pa dyshim se do të sjellë shumë fitim për Maqedoninë, tha sot zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit Aleksandar Nikolloski.

Në një intervistë për Radion Lider, Nikolloski tha se me hekurudhën e re në komunikacionin rrugor shpejtësia do të jetë nga 160 deri në 200 kilometra në orë, ndërsa në kargo transporti deri në 120 kilometra në orë. Kjo, sipas zëvendëskryeministrit, është kushti për zhvillimin ekonomik të vendit.

“Dua të kemi një hekurudhë me të cilën në pjesën e kargos me 120 km në orë do të jemi më konkurrues në hekurudhat më të mira në Evropë,që do të thotë se vendi do të kalohet për rreth një orë e gjysmë që do të vlejë shumë për zhvillimin e tregtisë dhe pres që ky të jetë “momenti i artë” i Maqedonisë. Do të na sjellë shumë fitim nëse e ndërtojmë hekurudhën e Korridorit 10. Bëhet fjalë për korridoret ekonomike më vitale në gjithë Evropën, përkatësisht mund të sjellë më së shumti para. Ja një informacion. Përmes autostradës që çon nga kufiri verior në atë jugor, për një vit kalojnë mbi 10 milionë udhëtarë. Nëse secili prej tyre të paktën blen një kafe do të thotë 10 milionë mbesin në vend, ndërsa ndryshe qarkullimi nga pikë pagesat vetëm në Korridorin 10 është diku 58 milionë euro në vit. Imagjinoni sikur hekurudha të fillojë me funksionim siç duhet dhe të hapen dy portet greke Pirea dhe Selanik dhe do të hapen, sepse është një projekt strategjik, projekti im personal dhe ëndrra ime për të cilën fola edhe në opozitë dhe një nga arsyet kryesore pse jam në këtë departament. Dhe shumë shpejtë do të dëgjoni lajme të mira”, theksoi zëvendëskryeministri Nikolloski.

Siç kumtoi Ministria e Transportit, Nikolloski në intervistë ka theksuar se në mënyrë aktive ndërtohen katër autostradat e reja, ndërsa në procedurë është thirrja publike për ndërtimin e një tjetre.

Për ndërtimin e autostradave të korridoreve 8 dhe 10 d, zëvendëskryeministri Nikolloski tha se për dhjetë muaj Qeveria ka shpronësuar pesë herë më shumë parcela sesa në dy vitet e kaluara. “Kur u zgjodhëm në qershor të vitit të kaluar nga numri i përgjithshëm i parcelave që duhej të shpronësohen, ishin shpronësuar rreth 500, ndërsa ne në periudhën nga qershori deri në prill në afat prej 10 muajve shpronësuam rreth 2500. Atë që e bëri qeveria e kaluar për dy vjet, ne e shumëzuam me pesë e bëmë për dhjetë muaj dhe aktualisht në Maqedoni, si në asnjë vend tjetër ballkanik, ka një front të hapur për punë në katër autostrada që po ndërtohen paralelisht”, theksoi zëvendëskryeministri Aleksandar Nikolloski.