Nisin ndryshimet ligjore që do t’i hapin rrugë marrjes së pagave në Inspektoratin për përdorimin e gjuhëve

Shumica parlamentare miratoi sot nevojën për ndryshimin e ligjit për Inspektoratin për përdorimin e gjuhëve, katër muaj pasi të punësuarit kanë mbetur pa rroga dhe pa sigurim shëndetësor e pensional. Në dhjetor, të gjithë inspektorateve iu hoq statusi i personit juridik përmes ndryshimeve në Ligjin për mbikëqyrje inspektuese. Megjithatë më shumë pësoi inspektorati për përdorimin e gjuhëve, të cilit i garantohej statusi i personit juridik me nene të posaçme në ligjet speciale, atë për Përdorimin e Gjuhëve dhe Ligjin për Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve. Konfuzioni juridik nuk krijonte bazë që të punësuarit të marrin rroga.
“Bëhet fjalë vetëm për dy harmonizime me ndryshimet që u bënë vitin e kaluar në këtë fushë. Në nenin 26 në Ligjin për mbikëqyrje inspektuese në paragrafin d2, ky nen u fshi dhe inspektoratet e humbën statusin e personit juridik. Ata janë organe në kuadër të Ministrive, përfshirë edhe këtë inspektorat. Gjithashtu bëhet harmonizim me ligjin për organizimin dhe punën e organeve shtetërore, ndryshime që gjithashtu i bëmë vitin e kaluar”, tha Boban Karapejovski, ZNAM.
Përplasja ligjore nuk është tejkaluar plotësisht për shkak se statusi i personit juridik nuk i është hequr në ligjin për përdorimin e gjuhëve, i cili aktualisht është në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
BDI-ja thonë se do të bëjë çmos për të kundërshtuar miratimin e ndryshimeve ligjore. Sipas tyre, ndryshimet bëjnë që inspektorati të jetë zgjatim politik i Ministrisë së Drejtësisë, duke ju hequr ligjërisht mbrojtja me ligje të veçanta të cilën e ka gëzuar.
“Kjo situatë shkakton një shqetësim shumë të thellë veçanërisht te populli shqiptar pasi përpjekja për të hequr statusin e personit juridik dhe për ta nënshtruar politikisht mund të respektojë mbrojtjen e të drejtave gjuhësore dhe respektimin e Marrëveshjes së Ohrit. Kjo shumicë parlamentare po tenton ta shndërrojë inspektoratin në një mjet politik duke rrezikuar integritetin dhe pavarësinë e tij. Do të rezistojmë çdo përpjekje për shuarjen e këtij institucioni”, deklaroi Arbana Pasholli, BDI.
Inspektorati për përdorimin e gjuhëve momentalisht është jofunksional, në kuptimin e plotë të fjalës. Përveç që është lënë pa rroga për më shumë se katër muaj, Inspektorati, siç ka raportuar Alsat, madje nuk ka as letër e ngjyrë për të kryer detyrat elementare. Prej shtatorit të vitit të kaluar, Inspektoratit i janë përgjysmuar edhe zyrat, respektivisht prej 6 në 3 kurse shteti shpërfill ndër vite kërkesën e inspektorëve për një automjet zyrtar. Deri më tani inspektimet në terren, janë bërë me vetura dhe shpenzime private.