Tuvalu, një nga vendet më të varfra dhe më të izoluara në botë, hapi zyrtarisht bankomatin e saj të parë të martën.
Ky është një hap historik për këtë shtet ishullor me 12.000 banorë, i cili deri më tani nuk ka pasur qasje në shërbime bankare elektronike.

Ceremonia u mbajt në prani të kryeministrit Feleti Teo, guvernatorit, liderëve fisnorë, deputetëve dhe përfaqësuesve të diplomacisë dhe sektorit të biznesit, dhe u përshëndet si një hap i rëndësishëm drejt modernizimit financiar.

“Sot po shkruajmë histori”
Deri tani, bankingu në Tuvalu bëhej vetëm me para në dorë. Punonjësit, ditën e pagesës, duhej të prisnin me orë të tëra në radhë para bankës, e cila mbyllej në orën 14:00. Të gjitha transaksionet për blerje ditore, hotele dhe shërbime bëheshin me para në dorë.

“Sot nuk po festojmë vetëm një ngjarje të rëndësishme, por histori – sepse banka po hyn në një epokë krejtësisht të re, jo vetëm në aspektin e shërbimeve por edhe në drejtimin strategjik”, tha kryeministri Teo.

Projekti nisi në vitin 2021 dhe kostoja totale për zbatimin e bankomateve dhe terminaleve të pagesës ka tejkaluar tre milionë dollarë australianë. Procesi u përshkrua nga drejtori i përgjithshëm i bankës, Siose Penitala Teo, i cili foli për “The Guardian”.

“Kjo ka qenë një ëndërr”
“Gjithmonë kemi qenë në një realitet analog, kemi ëndërruar për këtë”, tha Teo. “Këto pajisje nuk janë të lira, por me mbështetjen e qeverisë dhe vendosmërinë tonë, arritëm ta sjellim këtë shërbim për popullin tonë.”

Kryeministri bëri të ditur se banka fillimisht bashkëpunoi me një konsulent të jashtëm dhe më pas angazhoi kompaninë Pacific Technologies Limited nga Fixhi për të dorëzuar dhe instaluar sistemin, që tashmë është funksional në disa lokacione në kryeqytetin Funafuti, përfshirë aeroportin dhe lagjet lokale. Janë instaluar pesë bankomate dhe planifikohet vendosja e 30 terminaleve të pagesës në të gjithë ishullin.

Karta debiti dhe krediti në planet e ardhshme
“Analizuam disa opsione dhe ndërmorëm të gjitha hapat për të gjetur zgjidhje të përballueshme që i përshtaten nevojave të përdoruesve tanë,” tha Teo. “Kështu, blerëm bankomate dhe sisteme pagese që tashmë janë në funksion.”

Fillimisht, bankomatet do të funksionojnë vetëm me karta parapaguese, të cilat përdoruesit duhet t’i blejnë për t’i përdorur ato. Plani i bankës është të ofrojë së shpejti karta debiti të lëshuara në Tuvalu, dhe më pas edhe karta Visa debiti dhe krediti për përdorim jashtë vendit dhe në blerjet online.

Me rreth 6.000 përdorues bankarë (shumë prej të cilëve kanë më shumë se një llogari), prezantimi i bankingut elektronik pritet të reduktojë radhët, varësinë nga paraja në dorë dhe të përmirësojë qasjen në shërbime financiare në ishujt e largët.

“Shërbimi do të ofrohet falas derisa njerëzit të mësohen me të,” tha Teo. “Më vonë do të shqyrtojmë tarifat, por për momentin më e rëndësishmja është qasja dhe përparimi.”