Një raketë e gjuajtur nga Jemeni drejt Izraelit më 4 maj, ra afër aeroportit Ben Gurion, aeroportit kryesor ndërkombëtar të Izraelit.

Për shkak të sulmin, autoritetet ndaluan përkohësisht trafikun ajror.

Ushtria izraelite tha se po heton rënien e predhës të lëshuar nga Jemeni, që përfundoi në afërsi të aeroportit.

Disa njerëz që ishin në aeroport, kanë publikuar video të incizuara me telefona që shfaqin tym të zi në afërsi, prapa një avioni të parkuar dhe ndërtesave të aeroportit. Këto video nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.
Shërbimi i emergjencave në Izrael tha se nuk ka raportime për lëndime serioze. Një burrë dhe një grua kanë pësuar lëndime të lehta dhe janë dërguar në spital, ndërkaq dy të tjerë janë trajtuar në vendngjarje.

Autoritetet e aeroportit thanë se predha ra në një rrugë afër parkingut të Terminalit 3.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, kërcënoi se “kushdo që do të na godasë, ne do t’i godasim shtatë herë më fuqishëm”.