Me ftesë të kryetarit të Senatit të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kenan Ferati, këtë institucion të
arsimit të lartë do ta vizitojë një nga figurat më të shquara të shkencës bashkëkohore – nobelistja
dhe shkencëtarja me famë botërore, Prof. Dr. Elizabeth Blackburn.
Ky zhvillim i rëndësishëm vjen pas pjesëmarrjes së përfaqësuesve të Universitetit të Tetovës në
Konferencën Vjetore të Aleancës Aurora, e cila u mbajt së fundmi në Paris, prej 19-22 maj 2025.
Gjatë konferencës, udhëheqësit e UT-së realizuan disa takime me karakter pune, me qëllim forcimin
e bashkëpunimeve ndërkombëtare akademike dhe shkencore. Ndër takimet më domethënëse ishte ai
i kryetarit të Senatit, Prof. Dr. Kenan Ferati, me Prof. Dr. Elizabeth Blackburn, biokimiste dhe
biologe me ndikim të jashtëzakonshëm në shkencat shoqërore.
Në këtë takim, Prof. Dr. Blackburn e pranoi me kënaqësi ftesën e Prof. Dr. Kenan Feratit, për ta
vizituar Universitetin e Tetovës. Ajo do të mbajë një ligjëratë të posaçme për studentët, studiuesit
dhe komunitetin akademik, ku do të ndajë përvojat e saj kërkimore, arritjet shkencore dhe vizionin e
saj për të ardhmen e shkencës së mjekësisë dhe biologjisë molekulare.
Vizita e Prof. Dr. Elizabeth Blackburn do të shënojë një ngjarje historike për Universitetin e
Tetovës, duke e vendosur këtë institucion në vëmendjen e skenës ndërkombëtare akademike dhe
shkencore. Takimi i studentëve dhe stafit akademik me një shkencëtare të kalibrit të saj është një
mundësi unike për t’i frymëzuar brezat e rinj dhe për të inkurajuar përkushtimin ndaj hulumtimit
shkencor.
Universiteti i Tetovës e konsideron këtë vizitë si një motivim të fuqishëm për të vijuar rrugën drejt
zhvillimit akademik, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe promovimit të shkencës në shoqëri.