Pas vendimit të Aleancës për Shqiptarët për të kaluar në opozitë, Qeveria ka konfirmuar se do të ketë vetëm zëvendësim të ministrave, por jo edhe rikonstruim të ekzekutivit. Aktualisht, ASH mban dy poste ministrore: Shëndetësinë, e drejtuar nga Arben Taravari, dhe atë të zëvendëskryeministrit për qeverisje të mirë, që mbahet nga Arben Fetai.

Ende nuk dihet se si do të zhvillohet zëvendësimi i ministrave dhe nëse funksionarët e ASH-së do të japin dorëheqje apo do të shkarkohen. Po ashtu, mbetet e paqartë nëse pesë deputetët e ASH-së do të mbështesin Taravarin.

Qeveria ka lënë të hapur mundësinë e riorganizimit të resoreve midis VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it, siç e ka paralajmëruar lideri i VLEN-it, Bilall Kasami. Ai gjithashtu ka bërë të ditur se po zhvillohen negociata për zgjerimin e shumicës parlamentare, duke përfshirë deputetë nga opozita shqiptare dhe komunitete të tjera.

Pas deklaratës së Taravarit për kalimin e ASH-së në opozitë, kryeministri Hristijan Mickoski nuk pritet të takohet me të. Ndërkohë, VMRO-DPMNE do të mbajë sot një mbledhje të Komitetit ekzekutiv të partisë.