Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se spitali “Al-Awda” në veri të Rripit të Gazës, të cilin Izraeli donte ta evakuonte, është jashtë funksionit, transmeton Anadolu.
“Spitali ‘Al-Awda’ në Gazën veriore mbetet jashtë shërbimit sot pas urdhrave të evakuimit”, tha Ghebreyesus në një postim në rrjetin social X. Ai shtoi se OBSH-ja ishte informuar nga Ministria palestineze e Shëndetësisë.
Ghebreyesus tha se 97 persona, përfshirë 13 pacientë, mbetën brenda, duke shtuar se pavarësisht situatës së pasigurt që vazhdon, ata planifikojnë t’i transferojnë pacientët në një strukturë tjetër nesër.
Drejtori i OBSH-së theksoi se pajisjet mjekësore të spitalit nuk mund të transportohen për shkak se rrugët janë të papërdorshme. “Me mbylljen e spitalit ‘Al-Awda’, nuk ka mbetur asnjë spital funksional në Gazën veriore. Kjo ka prerë një linjë jetësore kritike për njerëzit atje. OBSH-ja bën thirrje për ruajtjen e spitalit, sigurinë e stafit dhe pacientëve të tij, dhe përsërit thirrjen për mbrojtje aktive të civilëve dhe shërbimeve shëndetësore”, tha ai.
Ghebreyesus bëri thirrje për armëpushim në Rripin e Gazës, duke theksuar se spitalet nuk duhet të sulmohen kurrë ose të ndërhyhet ushtarakisht.
– Izraeli hap zjarr ndaj spitalit “Al-Awda”
Në një deklaratë me shkrim nga stafi i spitalit “Al-Awda” thuhet se ushtria izraelite aktivizoi robotë shpërthyes pranë spitalit, hapi zjarr mbi ndërtesat dhe mjediset e spitalit dhe urdhëroi evakuimin e tij.