Kryeministri hungarez Viktor Orbán tha sot, duke iu drejtuar Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, se “nuk ka anëtarësim të Ukrainës në BE pa Hungarinë” dhe se “çdo hungarez” do të jetë në gjendje të shprehë mendimin e tij për këtë çështje.
“Presidenti Zelensky iu drejtua popullit hungarez dje. Z. President! Ajo që mendon populli hungarez nuk vendoset nga presidenti në Kiev apo burokratët në Bruksel. Nuk ka anëtarësim të Ukrainës në BE pa Hungarinë. Çdo hungarez do të jetë në gjendje të shprehë mendimin e tij për këtë. Qoftë se ju pëlqen apo jo. Kështu punojmë ne këtu”, tha Orbán në një postim në platformën X.
Dje, Zelenski deklaroi se hapja e tre grupeve në negociatat me Bashkimin Evropian do të mbështetet nga të gjithë anëtarët e BE-së, përveç një vendi – Hungarisë.
“Detyra e caktuar për mesin e verës është përgatitja e gatishmërisë teknike të tre klastereve për hapjen. Ne besojmë se të gjithë do të na mbështesin, përveç vendit në fjalë”, tha Zelenski gjatë një bisede me gazetarët, raportoi Ukrinform.
Ai tha se, sipas raportit të Zëvendëskryeministres për Integrimin Evropian dhe Euro-Atlantik, Olga Stefanishina, beson se Ukraina do të jetë teknikisht gati për hapjen e tre klasterave deri më 1 korrik.
Zelensky deklaroi gjithashtu se forcat opozitare hungareze kryen një sondazh që tregoi se 70 përqind e hungarezëve mbështesin hyrjen e Ukrainës në Bashkimin Evropian, por se Ukraina po bllokohet nga kryeministri hungarez Viktor Orbán.