Bashkimi Evropian shpesh është kritikuar për trajtim jo të barabartë të Kosovës karshi Serbisë.

Madje së fundi, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në samitin e mbajturr në Tiranë, në prani të liderëve europianë kërkoi që të largohen masat e vendosura ndaj Kosovës nga Bashkimi Europian.

Kësisoj, presidentja e përmendi edhe vizitën e Vuçiqit në Moskë.

Ajo u shpreh se ndonëse Kosova është e linjëzuar me politikën e jashtme dhe atë të sigurisë me Bashkimin Evropian, sërish po përkrahen vende të cilat “shkojnë në Moskë”

E në lidhje me këtë qasje të BE-së ndaj Kosovës dhe Serbisë, foli për “Bota sot” avokati serb, Cedomir Stojkoviq.

Së pari, ai mbështeti kritikat e presidentes Osmani, derisa tha se BE nuk po e trajton më mënyrë të drejtë Kosovën, madje po shpërfill faktet që lidhen me historinë e saj.

“Unë besoj se znj. Osmani, për fat të keq, ka plotësisht të drejtë. Bashkimi Evropian jo vetëm që nuk arrin ta trajtojë Kosovën në mënyrë të barabartë me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, por gjithashtu shpërfill faktet që lidhen me historinë e Kosovës dhe kontekstin e saj specifik. Kosova është shteti më i ri i Evropës, i krijuar nga qytetarë, të drejtat e të cilëve u shtypën për dekada në Jugosllavi. Si rezultat, shqiptarëve në Kosovë iu mohua e drejta për t’u zhvilluar si individë dhe si shoqëri për dekada, gjë që në fund çoi në krijimin e një shteti të pavarur. Kështu, pika fillestare e Kosovës në aspektin e ndërtimit të institucioneve, zhvillimit të shoqërisë dhe përafrimit me vlerat e Bashkimit Evropian ishte objektivisht shumë më sfiduese se ajo e çdo shteti tjetër evropian”, nënvizoi ai.

Po ashtu, Stojkoviq përmendi sfidat me të cilat po përballet Kosova, ku theksoi aspektin e sigurisë dhe kërcënimet e vazhdueshme me të cilat përballet shteti ynë.

“Për më tepër, Kosova është përballur me sfida në procesin e saj të pranimit në BE me të cilat asnjë shtet tjetër, përveç Ukrainës, nuk është përballur – domethënë, një shtet tjetër jo vetëm që kundërshton të drejtën e saj për t’u bashkuar me BE-në, por edhe vetë të drejtën e saj për të ekzistuar. Ashtu si Rusia ia mohon Ukrainës këtë të drejtë, Serbia ia mohon atë Kosovës.

Gjithashtu, ndryshe nga shtetet e tjera që i afrohen BE-së, Kosova përballet me sulme të vazhdueshme ndaj sigurisë së saj. Kjo siguri kërcënohet nga njëra anë nga masat aktive të Serbisë që synojnë të nxisin trazira midis pjesëve të popullsisë së Kosovës dhe, nga ana tjetër, nga sulmet e armatosura të organizuara, si ai në Banjska”.

Krahas kësaj, avokati serb vlerësoi arritjet dhe zhvillimet e shumta të Kosovës, derisa tregoi atë se çka ka parë gjatë vizitave të tij në vendin tonë.

Ai u shpreh optimist se me transformimet shoqërore, Kosova do i afrohet me shpejtësi të madhe BE-së.

“Pavarësisht këtyre rrethanave jashtëzakonisht të vështira, Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm në të gjitha aspektet e zhvillimit shtetëror dhe shoqëror gjatë viteve, siç e kam dëshmuar personalisht gjatë vizitave të mia në Kosovë. Kosova po i afrohet me shpejtësi Bashkimit Evropian, jo vetëm përmes reformave aktive, por edhe përmes transformimit shoqëror dhe përafrimit me vlerat e BE-së. Ky përparim padyshim do të ishte shumë më i madh pa pengesat aktive të Serbisë, të cilat vazhdimisht punojnë kundër anëtarësimit të Kosovës në institucione dhe organizata ndërkombëtare, duke u përpjekur të bllokojnë pranimin e saj. Megjithatë, pranimi në këto organizata ndërkombëtare është një parakusht për përparimin edhe më të shpejtë të Kosovës”, nënvizoi Stojkoviq.

Më tej, ai kritikoi BE-në për mos ndëshkim të qasjes dhe politikave të regjimit të Beogradit, madje tha se sanksionet e vendosura ndaj Kosovës, janë sikur t’i ishin vendosur Ukrainës në rastin e saj me Rusinë.

Gjithashtu, ritheksoi deklaratën e presidentes Osmani dhe tha se BE p obën gabim me qasjen e saj ndaj Serbisë, duke ditur lidhjet e Vuçiqit me Putinin.

“Pavarësisht kësaj situate, në vend që të zbatojë masa kundër regjimit në Serbi përgjegjës për këto veprime, BE-ja përpiqet të qetësojë regjimin serb dhe të ndëshkojë Kosovën. Kjo është e ngjashme me vendosjen e sanksioneve ndaj Ukrainës në vend të Rusisë në rrethanat aktuale. Ukraina nuk është ajo që po e pengon veten të bashkohet me BE-në – Rusia është. E njëjta gjë vlen edhe për Kosovën dhe Serbinë. Kosova qartësisht dëshiron të jetë pjesë e BE-së, dhe të gjithë e shohin këtë, ndërsa Serbia nuk ka këtë dëshirë, dhe të gjithë e shohin edhe këtë. Si është e mundur, pra, që regjimi serb, i cili kundërshton BE-në, të shpërblehet, ndërsa qeveria demokratike në Kosovë të ndëshkohet? Të kritikosh Kosovën në një situatë ku Serbia kundërshton ekzistencën e saj është si të kritikosh Ukrainën, ndërsa Rusia kërkon ta shkatërrojë atë. Ky është paralelja. Vetëm në shatëmbëdhjetë vjet që nga shpallja e pavarësisë, Kosova ka arritur një nivel zhvillimi të barabartë ose më të madh se, për shembull, Bullgaria – një anëtare aktuale e BE-së dhe NATO-s që ka pasur shumë më tepër kohë për të ndërtuar veten, pasi ka ekzistuar për shumë më gjatë se Kosova. Prandaj, Vjosa Osmani ka absolutisht të drejtë kur thotë se BE po bën një gabim. Nëse Rusia dhe Putini janë kriminelë, siç pretendon BE-ja, atëherë ata që janë aleatë të kriminelëve të tillë duhet të ndëshkohen. Vuçiç dhe regjimi i tij duhet të mbahen përgjegjës, jo Kosova. Në shkollë, fëmija që ngacmon të tjerët, i pengon ata me dhunë të mësojnë dhe shoqërohet me trafikantë droge meriton një notë jokaluese. Vladimir Putin është ai trafikant politik droge, dhe Vuçiç është shpërndarësi i tij lokal. Nuk mund t’i ndëshkosh fëmijët punëtorë që studiojnë me zell dhe synojnë nota të mira për t’u regjistruar në universitet—ose, në këtë rast, për t’u anëtarësuar në BE, siç po bën Kosova”, nënvizoi ai.

Në fund, avokati shtoi se vizita e Vuçiq në Moskë, tregon qartë qëllimet e tij, derisa tha se kjo do duhej të ishte alarm për BE-në, dhe jo kjo e fundit ta mbështete regjimin e shtetit serb.

“Vizita e Vuçiçit në Moskë për paradën ushtarake tregoi qartë sistemin e vlerave që ai aspiron. Ai e tregoi këtë edhe përmes veprimeve duke organizuar sulmin në Banjska. NATO ka njësi ushtarake në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë jo për të mbrojtur Serbinë nga sulmet e Kosovës ose Bosnjë e Hercegovinës, por përkundrazi—për të ruajtur paqen nga sulmet e Serbisë ndaj Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës. Duhet ta quajmë të vërtetën me fjalë. Nëse politikanët e BE-së kanë harruar se nga vjen kërcënimi, ata vetëm duhet të shohin faturën financiare për ato trupa, të paguara vetëm për të ruajtur paqen. Ai që kërkon ta rrezikojë atë paqe është problemi. Dhe nëse BE-ja përpiqet ta qetësojë një regjim të tillë, ajo në fakt po ushqen ambiciet e atij regjimi”, përmbylli Cedomir Stojkoviq për “Bota sot”.