Në Vatikan kanë hyrë në fazën përfundimtare përgatitjet për konklavën që do të zhvillohet të mërkurën, ku do të zgjidhet Papa i 267-të i Kishës Katolike.

Punëtorët kanë vendosur tashmë oxhakun ceremonial mbi çatinë e Kapelës Sistine – simbol kyç që do të sinjalizojë zgjedhjen e Papës përmes tymit të bardhë.

“Konklava do të jetë e shkurtër”, u shpreh kardinali Gregorio Rosa Chavez nga Salvadori për televizionin amerikan ABC News, duke shtuar se shpreson për një “Françesku II”.

“Mendoj se ekziston një konsensus i gjerë… vizioni është i qartë mbi atë që i duhet Kishës dhe botës nga Papa i ri”, deklaroi ai, duke parashikuar një proces që mund të zgjasë vetëm dy ose tre ditë.

Edhe pse Chavez, 82 vjeç, nuk ka të drejtë vote në konklavë, ai ka marrë pjesë në kongregacionet e përgjithshme të kësaj jave, ku janë bërë të dallueshëm disa nga favoritët për fronin papnor.

Pjesa më e madhe e kardinalëve nga mbarë bota tashmë ndodhen në Vatikan, ku marrin pjesë në mbledhje të rregullta, të quajtura kongregacione të përgjithshme.

Gjatë këtyre takimeve, ata njihen më mirë me njëri-tjetrin, mbajnë fjalime dhe diskutojnë mbi profilin e Papës që duan të shohin në krye të Kishës.

Aktualisht, kardinalët ende nuk janë futur në izolimin e detyrueshëm të konklavës, ndaj mund të shihen shpesh në Sheshin e Shën Pjetrit pas mbledhjeve, madje disa publikojnë rregullisht në rrjetet sociale. Një prej tyre, kardinali Timothy Dolan nga New Yorku, poston çdo ditë përditësime që ofrojnë një pasqyrë mbi traditat e lashta të Vatikanit.

Në këtë konklavë do të marrin pjesë 133 kardinalë me të drejtë vote – numri më i lartë në histori – prej të cilëve 108 janë emëruar nga Papa Françesku. Dhjetë vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Procesi i votimit do të nisë pas betimit solemn të fshehtësisë dhe do të zhvillohet katër herë në ditë – dy herë në mëngjes dhe dy herë në mbrëmje – derisa të arrihet shumica e cilësuar prej dy të tretash për zgjedhjen e Papës së ri.

Pas çdo raundi votimi, fletët do të digjen në oxhakun e Kapelës Sistine. Tymi i zi njofton se nuk është arritur marrëveshja, ndërsa tymi i bardhë sinjalizon se Kisha Katolike ka një udhëheqës të ri.

Ndërkohë, ekspertët po analizojnë listat e kandidatëve potencialë, duke marrë në konsideratë prejardhjen e tyre, bindjet doktrinare dhe aftësitë që mund të sjellin në drejtimin e Kishës.

Megjithatë, deri në momentin që tymi i bardhë të ngjitet mbi Vatikan, gjithçka mbetet në fushën e spekulimeve.

Vetëm 133 kardinalët në brendësi të konklavës do të jenë ata që do ta përcaktojnë të ardhmen e Selisë së Shenjtë.