37 Qendrat për Punë Sociale brenda një muaji do të marrin personel sigurie nga një kompani e licencuar. Procedura e Prokurimit Publik, e cila u shpall së fundmi nga Ministria e Politikës Sociale, skadon këtë javë dhe kërkon gjithsej 60 roje sigurie, njoftoi zëvendësministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Gjoko Velkovski.
“Kërkohen 60 licenca, pra 60 persona që të jenë të angazhuar në mënyrë të vazhdueshme nga kompania që do të sigurojë pikërisht objektet tona… Për pesë ditë do ta kemi kompaninë në fazën e vlerësimit, dhe më pas e presim edhe nënshkrimin e kontratës, kështu që brenda një muaji nga sot, do të kemi një marrëveshje përfundimtare me kompaninë që do të zgjidhet”, tha Gjoko Vellkovski zv/ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë.
Kjo nevojë vjen pasi para një muaji e gjysmë, në Qendrën për Punë Sociale në Prilep, një punonjëse u qëllua me armë zjarri nga një përdorues i shërbimeve, nga i cili edhe më parë kishte marrë edhe kërcënime. Drejtorit i Qendrës, Zoran Mallkovski tha se do të ndihen më të sigurt kur do të ketë në recepsion dikush që zgjedh klientët se kush do të hyjë brenda në objekt.
“Jam i bindur se do të ndihemi pak më të sigurt kur të dimë se në Recepsion do të kemi dikë që do të jetë në gjendje të zgjedhë klientët dhe do të ketë autoritetin që aktualisht nuk e kemi, për të parë se kush çfarë sjell dhe si e sjell. Dhe mendoj se ngjitja nëpër zyrat do të lejohet vetëm me ftesa… Një pjesë e kolegëve kanë përdorur edhe leje të gjata mjekësore, me rekomandim nga psikiatri, psikologu apo mjeku amë. Ngadalë, ngadalë po konsolidohemi, tashmë jemi bashkë”, pohoi Zoran Mallkovski, drejtor i Qendrës Sociale Të Prilepit.
Ndryshe, sulmi i armatosur në Qendrën për Punë Sociale në Prilep ndodhi më 23 mars. Në incident u plagos lehtë punonjësja sociale 36-vjeçare M. Gj., e cila u qëllua me armë zjarri nga 50-vjeçari A. J., i cili, sipas të gjitha gjasave, ishte i pakënaqur me masat e mëparshme të marra nga Qendra në lidhje me procesin e tij të divorcit.