Shkruan: Florim Zeqa, 09.05. 2025
Kësaj radhe këtë shkrim po e filloj me lajmin e mirë që e paralajmërojë tymi i bardhë nga Vatikani për zgjedhjen e Robert Francis Prevost nga Amerika apo Papa Leone XIV, i cili do ta udhëheq Selinë e Shenjtë. Shpresojmë që ky personalitet me ndikim në Institucionin më të lartë Kishtar të Vatikanit ta njoh Shtetin e Kosovës dhe shteti ynë ta marrë të mbarën dhe të sigurojë njohje nga OKB dhe organizatat tjera relevante euro-atlantike.
‘Paria’ e vendit e kthyer në urrejtje qytetare
Asnjëherë në të njëjtën kohë nuk mund të ekzistojnë dy të vërteta, por vetëm një! E vërteta e bllokimit të partisë fituese në formimin e institucioneve është një dhe e patjetërsueshme. Ajo është opozita e ç’akorduar dhe traumatizuar nga humbja e thellë e zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025.
Mosvotimi i kandidates së partisë fituese nga opozita është vetëm një justifikim i kriposur para qytetarëve të vendit dhe një krrekosje para elektoratit të tyre!
Kërkesat për ndërrim të kandidatit(tes), për qëllim e ka poshtërimin e Albin Kurtit në raport me deputetët në Kuvend dhe në raport me elektoratin e LVV-së në veçanti!
‘Paria’ e vendit e zgjedhur me voten e lirë të qytetarëve, me sjelljen e papërgjegjshme në ‘Tempullin e Demokracisë’ janë kthyer në urrejtje popullore!
Sjelljet kapriçioze e të zgjedhurve të popullit si deputet të partive politike e jo si përfaqësues të qytetarëve, i kanë venë në lajthitje këta të fundit, që mbase të organizohen për bojkot gjeneral të zgjedhjeve të ardhshme, qofshin ato të rregullta apo të jashtëzakonshme.
Ligjvënësit apo ‘pleqnarët’ e rinj të kuvendit, në vend të zgjedhjes së institucioneve të reja shtetërore, janë duke shkaktuar bllokadë të pakuptimtë artificiale, të cilës nuk po i shihet fundi, duke shkaktuar kështu amulli dhe konfuzitet tek popullata kosovare!
Të gjithë deputetët pa dallim ngjyrimi partiak janë bërë të njëjtë, thuajse Kuvendi është i një shteti tjetër e jo i Republikës së Kosovës, nga buxheti i së cilës paguhen shtrenjtë për (mos) punën e tyre, duke harruar se me veprimet e tyre të papërgjegjshme dhe skandaloze, përveq buxhetit jane duke e dëmtuar edhe imazhin e shtetit.
Për habi, deputetët e zgjedhur në Parlamentin e Kosovës, jo vetëm që nuk e kanë hallin e shtetit, nuk e kanë më as hallin e qytetarëve që ua grabitën votën nën mashtrim se “kanë për të punuar” për interesat e tyre!
Deputetët e rinjë të vetmin shqetësim e kanë se si t’i marrin pagat dhe meditjet e majme për 5 minuta qëndrim në ulëset e Kuvendit pa e bërë asnjë veprim pozitiv për të mirën e shtetit dhe qytetarëve!
Pas tymit të bardhë në Vatikan, edhe pas përpjekjes së 13-të, retë e zeza sërish e mbuluan Kuvendin e Kosovës. Përderisa në Vatikan mjaftuan dy ditë dhe vetëm katër votime, Kuvendit të Kosovës nuk i mjaftoj një muaj, nuk i mjaftuan 12 dështime për ndërgjegjësim! Dështimi i 13-të më radhë pa e bërë hapin e parë për zgjedhjen e organeve drejtuese të legjislativit, përkatësisht të Kryeparlamentarit, pas të cilit do t’na duhet po aq kohë për zgjedhjen e ekzekutivit apo të Qeverisë së re (Kryeministrit).
Urime besimtarëve të krishterë për zgjedhjen e Papa Leone XIV në krye të Institucionit më të lartë Kishtar, ngushëllime qytetarëve të Kosovës për varrosjen e demokracisë nga legjislatura e IX, ende pa u konstituuar! Zoti i do ata që e duan shtetin, kombin dhe fenë e tyre!