Sali Berisha priti mbylljen e numërimit të votave për diasporën për ta thënë prerazi se Partia Demokratike nuk i njeh zgjedhjet e 11 majit.

“Zgjedhje të tilla nuk mund t’i pranojmë kurrë dhe nuk mund të na imponojë ne kush që t’i pranojmë këto zgjedhje. Edi Rama po bën çdo përpjekje nga më banditesket, për të ndërhyrë, por sukses nuk do ketë.”

Kryedemokrati paraqiti prova, që sipas tij, faktojnë kriminalizimin e votës së emigrantëve.

“Në Tiranë, janë numëruar 1300 më shumë. Në Fier, 1 mijë zarfe më shumë. Në Kukës, në Shkodër, janë shtuar për të ndihmuar partinë”,

Berisha shpjegoi skemën sesi funksionoi sipas tij mekanizmi i manipulimit, pjesë e të cilit tha se ishte DHL-ja, kompania nënkontraktore dhe posta shqiptare.

“Segmenti shqiptar i DHL-së funksionoi krejtësisht sipas urdhrave, porosive të qeverisë dhe të Edi Ramës. Magazinat e Postës shqiptare, lukunia e patronazhistëve ribëri nga e para votat siç deshi”, tha Berisha.

Të gjitha provat tha se ia ka vënë në dispozicion jo vetëm kancelarive europiane, por edhe SHBA-ve, siç është ky raport që mban datën 16 Maj, i dorëzuar pranë Departamentit të Drejtësisë amerikane nga kompania e tij e lobimit “Continental Strategy”.

“Po sensibilizojmë komunitetin ndërkombëtar për farsën zgjedhore që ndodhi me 11 Maj. Ky është objektivi i punës tonë dhe ne do ia dalim”, u shpreh Berisha.

Grupi kriminal në Durrës i goditur nga SPAK dhe Animafia italiane, për kreun e opozitës është dëshmi e përfshirjes së bandave në zgjedhjet e 11 majit.

“Ervis Doçi apo famozi Poja ka gjithçka me licencë të Edi Ramës dhe Olsi Ramës. Ai ishte padroni i portit. Dhe natyrisht i zgjedhjeve dhe të gjithaveMatriksi vazhdon të funksionojë. Eksponentët kryesorë u njoftuan dhe ikën”, tha Berisha.

Pa komentuar nuk la edhe tërheqjen e kandidatëve socialistë nga ankesat për votat.

“Është i aftë t’i verë flakën dhe gjysmës së grupit parlamentar për Oltën. Cherche la feme”, tha Berisha.