PD nuk njeh zgjedhjet e 11 majit në Tiranë, por bëhet bashkë me PS në ShBA. Leskaj dhe Kodheli në Asamblenë e Nato-s

Pavarësisht akuzave për manipulime në zgjedhje, demokratët janë bërë bashkë me socialistët si pjesë në Sesionin e Pranverës së Asamblesë Parlamentare të NATO-s.
Demokratët nuk kanë përjashtuar edhe mundësinë e një greve urie, ndërsa ankimimet vijojnë në KAS duke kundërshtuar miratimin e rezultatit të zgjedhjeve.
Delegacioni i Kuvendit të Shqipërisë në Asamble, kryesohet nga kryetarja Mimi Kodheli.
Delegacioni i Kuvendit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, mori pjesë në punimet e Sesionit të Pranverës të Asamblesë, të cilat u zhvilluan në qytetin e Dayton, SHBA, nga data 22 deri më 26 maj 2025.
Delegacioni shqiptar përbëhej nga Mimi Kodheli, Kryetare e Delegacionit dhe njëkohësisht Kryetare e Komisionit për Politikën e Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë, si dhe nga anëtarët e delegacionit, deputetët Bardhyl Kollçaku dhe Bujar Leskaj.
Këtë vit, Asambleja Parlamentare e NATO-s u zhvillua në një moment simbolik, pasi përkonte me 30-vjetorin e Marrëveshjes së Paqes të nënshkruar në Dayton, e cila i dha fund luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.
Ky përvjetor i rëndësishëm i jep një dimension të veçantë diskutimeve mbi paqen, sigurinë dhe bashkëpunimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë. Një tjetër moment i rëndësishëm i Asamblesë ishte pjesëmarrja e krerëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor, të cilët dhanë mesazhe të forta për angazhimin rajonal ndaj vlerave të përbashkëta euroatlantike, paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit ndërshtetëror.
Gjatë kësaj Asambleje, delegacioni shqiptar mori pjesë në sesione të nivelit të lartë, duke kontribuar në diskutimet mbi sfidat aktuale të sigurisë euroatlantike, bashkëpunimin ndërparlamentar, si dhe forcimin e rolit të NATO-s në promovimin e paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar.
Asambleja Parlamentare e NATO-s shërben si një forum i rëndësishëm për dialogun politik dhe parlamentar ndërmjet vendeve anëtare dhe luan një rol kyç në forcimin e transparencës demokratike dhe llogaridhënies në çështjet e sigurisë.