Ka përfunduar takimi mes kryeministrit në detyrë, njëherit kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurtit dhe Kreut të PDK’së, Memli Krasniqit, shkruan Reporteri.net.

Takimi ka zgjatur rreth gjysmë orë.

Aktualisht para gazetarëve është duke u deklaruar Krasniqi.

Kurti i ftoi dje në takim dy liderët e partive të mëdha PDK dhe LDK, por nga LDK refuzuan pjesëmarrjen.

Kryetari Lumir Abdixhiku ndodhet jashtë vendit, por zyrtarë të lartë të partisë, si Besian Mustafa dhe Hykmete Bajrami, e konfirmuan qëndrimin refuzues të kësaj partie.

Takimi vjen para një tentative të re, e nënta me radhë për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, do të bëhet sot.

Kjo pritet të jetë seanca e nëntë, çdo 48 orë, që nga 15 prilli.

Kandidatja për kryeparlamentare nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu tashmë gjashtë herë ka dështuar të zgjidhet në krye të këtij institucioni.

PDK, LDK dhe AAK disa herë i kanë kërkuar VV-së që ta ndërrojë kandidaten. Madje, janë përmendur disa emra që deputetë të partive tjera kanë shprehur gatishmërinë t’i votojnë.

Seanca e sotme, pritet të mbahet në ora 10:00.