Perinski në Dellçevë: Nuk ndalet mbështetja për të gjitha komunat, ndërtojmë themele të forta për jetë më të mirë për çdo qytetar

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski, sot ishte pjesë e delegacionit qeveritar të udhëhequr nga kryeministri Hristijan Mickoski, i cili mori pjesë në shënimin e 149-vjetorit të Kryengritjes së Razllovcës – një moment i rëndësishëm historik që dëshmon luftën për liri dhe qëndresën e popullit maqedonas. Në ngjarjen solemne, që u mbajt në fshatin Razllovci të Dellçevës, u theksua rëndësia e së kaluarës maqedonase, por edhe detyrimi për të vazhduar të zhvillohemi dhe të përparojmë si shoqëri.
Gjatë vizitës së sotme në Dellçevë, ministri Perinski dhe kryeministri Mickoski kryen inspektim të aktiviteteve ndërtimore në dy nga katër projektet që po realizohen në Dellçevë, të miratuara në thirrjen e parë qeveritare për mbështetje të projekteve komunale infrastrukturore. Ata vizituan lagjen Novo Dellçevo, ku është në zhvillim rikonstruktimi i disa rrugëve me gjatësi të përgjithshme prej gati 2 km, si dhe panë nga afër punimet për ndërtimin e pjesës së rregullimit të lumit Gabrovçica në gjatësi prej 700 metrash.
“Këto projekte janë dëshmi se premtimet e Qeverisë po bëhen realitet, ato tashmë po shohin dritën e ditës. Si Qeveri kemi filluar hapur, në mënyrë transparente. Qytetarët dhe kryetarët e komunave e njohin ndihmën tonë, marrëdhënien tonë partnere ndaj tyre. Politizimin dhe lojërat politike i lëmë për kundërshtarët tanë politikë, ndërsa ne do të vazhdojmë të projektojmë dhe realizojmë projekte që përputhen me nevojat e qytetarëve. Kështu kemi filluar dhe, besoni, kështu do të vazhdojmë”, theksoi ministri Perinski, duke kujtuar se Komuna në thirrjen e parë qeveritare ka marrë 37 milionë denarë për katër projekte të miratuara, dhe pritet të marrë rreth 115 milionë denarë ndihmë financiare direkte për 10 projekte, aq sa ka aplikuar në thirrjen e dytë publike.
“Për krahasim, buxheti vjetor i Komunës për investime kapitale është nga 15 deri në 20 milionë denarë, dhe këtë e them për të theksuar rëndësinë e ndihmës që Qeveria u jep të gjitha vetëqeverisjeve lokale pa përjashtim, pavarësisht përkatësisë politike të kryetarit të komunës”, shtoi ministri.
Kryeministri Mickoski shprehu kënaqësi që edhe në Dellçevë aktivitetet ndërtimore për realizimin e projekteve nga thirrja e parë qeveritare për mbështetje të projekteve infrastrukturore komunale po zhvillohen pa pengesa. “Këto janë projekte për qytetarët, nuk janë projekte as të VMRO-DPMNE-së, as të LSDM-së, por për banorët e Dellçevës. Ky është motivi ynë, kjo është frymëzimi ynë”, theksoi Mickoski.
Ministri dhe kryeministri vizituan gjithashtu fabrikën “Igma Teks”, e cila përfaqëson një shembull të suksesshëm të ndërmarrësisë lokale në industrinë tekstile. Fabrika me mbi 100 të punësuar është një motor i rëndësishëm ekonomik për ekonominë lokale dhe shembull se si mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme mund të çojë në vende të reja pune dhe zhvillim të ekonomisë lokale.